Nën moton ‘’Libri na bashkon të gjithëve’’ këtë të mërkurë do të hapet Panairi i 26-të i Librit  në Tiranë, ja çfarë do të ketë

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë nga data 15-19 nëntor do të mbahet Panairi i 26-të i librit, një ngjarje mbarëkombëtare e kulturës që pritet me shumë interes nga të gjithë librofilët. Edhe pse vajtje-ardhjet në Tiranë janë bërë të shpeshta dhe pa pengesa, gjë që ka lehtësuar dhe qasjen tonë drejt librave që duam, sërish kjo festë ngelet ndër më të dashurat dhe një festë e vërtetë libri. Nën moton “libri na bashkon të gjithëve”, Tirana pret në nëntorin e lavdishëm që shënon shumë festa kombëtare, edhe ekspozimin e librave nga të gjitha trevat shqiptare, njofton Portalb.mk.

Fotografi e marrë nga faqja e Botuesve Shqiptar
Fotografi e marrë nga faqja e Botuesve Shqiptar

Mes shumë aktiviteteve, promovimeve, nënshkrimeve të autorëve nëpër stendat e botuesve si edhe ngjarje tjera, me shumë interes është edhe konkursi i Çmimeve të Panairit.

Panairi i Tiranës, i vetmi që mbledh të gjitha ngjarjet më interesante të librit, gjatë një viti!

Ekspozim, prezantime, takime me autorë, shkrimtarë të huaj të ftuar, libra të rinj, çmimet e panairit, konferenca, Sofaja e librit dhe më shumë.

Janë disa çmime që ndahen  për botimet që bëhen mes dy panaireve, edhe atë çmimi i autorit, përkthyesit, libri më i mirë për fëmijë etj.

Fotografi e marrë nga faqja e Botuesve Shqiptar
Fotografi e marrë nga faqja e Botuesve Shqiptar

Në konkurrim përfshihen të gjitha botimet pas Panairit të 25 të Librit (dhjetor 2022 – nëntor 2023), përjashtuar ribotimet. Mund të futen në garën e çmimeve me librat e tyre të gjithë botuesit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia, pjesëmarrës në panair.

Data e fundit e dorëzimit të librave në këtë garë, ka qenë  3 nëntori i këtij viti.

Fotografi e marrë nga faqja e Botuesve Shqiptar
Fotografi e marrë nga faqja e Botuesve Shqiptar

Juria përbëhet nga emrat: Arta Marku – gazetare e kulturës, përkthyese – kryetare, Aristotel Spiro – përkthyes, gjuhëtar, Enkel Demi – shkrimtar, Erion Kristo – pedagog, përkthyes, Monika Stafa – gazetare e kulturës.

SOFAJA E LIBRIT- Të rejat në sektorin e editorisë, si shkon

Fotografi e marrë nga faqja e Botuesve Shqiptar
Fotografi e marrë nga faqja e Botuesve Shqiptar

promovimi i librit, përkthimi, shpërndarja e librit, pasurimi i bibliotekave dhe çështje të tjera do të jenë në qendër të intervistave me njerëz të librit në SOFA.

Disa nga të ftuarit e huaj, që do të jenë pjesëmarrës në aktivitete të ndryshme, në Panairin e 26 të Librit.

ILIDE CARMIGNANI– Është një nga përkthyeset më të shquara italiane, e njohur veçanërisht si “zëri” i Luis Sepúlvedas, Roberto Bolaños, Jorge Luis Borgesit, Julio Cortázarit etj.

VIOLA ARDONE– Shkrimtare italiane. Debutimi i saj si autore u bë në vitin 2012 me romanin “La ricetta del cuore in subbuglio”, për Adriano Salani Editore, e ndjekur në 2016 nga “Një revolucion sentimental”. Në vitin 2019 botoi romanet TRENI I FEMIJEVE, i perkthyer edhe ne shqip.

ALESSIO PULEO- Në shtator 2012, Puleo botoi librin e ri, “Zemra ime të përket”, botuar nga De Agostini. Ky roman eshte perkthyer dhe botuar edhe ne shqip. Për këtë roman Alessio ka si dhuratë parathënien nga një personazh i shquar, Federico Moccia, një shkrimtar i madh i ditëve tona, si dhe pasthënien mjaft të bukur nga A.I.D.O.

LILIAN THURAM– Kush nuk e njeh Lilian Thuramin, futbollistin e shquar francez. Në Panairin e 26-të  të Librit në Tiranë, Thuram do të prezantojë librin “Mendimi i bardhë”. Ai është autor i disa veprave të cilat trajtojnë tema të diskriminimit dhe ka marrë disa çmime të rëndesishme për këtë veprimtari.

Fotografi e marrë nga faqja e Botuesve Shqiptar
Fotografi e marrë nga faqja e Botuesve Shqiptar

Autorë vendorë po ashtu do të promovojnë librat e tyre më të fundit.

Në ditën e dytë të panairit, në datë 16 nëntor, në orën 17.00 Shoqata e Botuesve organizon një seminar rreth problemeve të përkthimit të letërsisë për fëmijë dhe adoleshentë në shqip.

Ne kete seminar është e ftuar edhe një përkthyese e shquar italiane, konsulente editoriale e Sallonit te Librit ne Torino, përkthyese e Bolanos dhe Markezit dhe organizatore e seminareve me këtë teme, znj. Ilide Carmignani.