Pesë shtetet me të cilët kryen më së shumti shkëmbim tregtar Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut në periudhën prej janarit deri në shtator të këtij viti ka shënuar rritje të eksportit dhe ulje të importit në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, transmeton Portalb.mk.

“Në periudhën janar-shtator të vitit 2023, sipas vëllimit të përgjithshëm të këmbimit tregtar, Republika e Maqedonisë së Veriut ka tregtuar më shumë me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Greqinë, Kinën dhe Serbinë”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Prej këtyre pesë shteteve, vetëm me Gjermanin ka bilanc pozitiv në raportin eksport – import. Për nëntë muaj, Maqedonia e Veriut ka eksportuar në Gjermani mallra në vlerë 2 783 267 000 euro, ndërsa ka importuar mallra në vlerë 825 082 000 euro.

Vlera e përgjithshme e mallrave të eksportuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut, e shprehur në euro, në periudhën janar – shtator të vitit 2023, është 6 240 474 000 euro ndërsa vlera e mallit të importuar, në periudhën e njëjtë, është 8 246 013 mijë euro”, raportoi Enti, duke theksuar që ka pasur deficit tregtar në vlerë prej 2 005 539 000 euro për nëntë muaj.