Nën flamurin e BE-së
Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.
Ne pritje të 9 Majit, Ditës së Evropës, këtyre ditëve përsëri u aktualizua (keq)përdorimi i flamurit të BE-së në procedurën parlamentare.
Të shohim së pari formalitetet e mërzitshme: Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë aplikoi dispozita të veçanta për ligje me të cilat bëhet harmonizimi i legjislacionit të BE-së me ndryshimet e vitit 2008. Dispozitat thelbësore kishin të bëjnë me atë se deputetëve me propozim ligjin duhej t’u jepen informata se t’u sqarohet se si është harmonizimi. Më saktësisht, përmbajtja e çdo propozim ligji me të cilin bëhet harmonizim duhet të përmbajë edhe të dhëna për aktet burimore të Bashkimit Evropian me emërtimin e plotë, numrin dhe datën si dhe Deklaratën për harmonizim. Atëherë u dha mundësia edhe për procedurën e shkurtuar, kur nuk bëhet fjalë për ndonjë ligj të ndërlikuar dhe voluminoz me të cilin bëhet harmonizimi. Vendosja e shenjës së “flamurit të BE-së”, nga ana tjetër, është e drejtë e Qeverisë, sipas rregullores së saj. Mirëpo, me ndryshimet e Rregullores së kuvendit nga viti 2013 u shtuan dispozita me precize që e kufizuan diskutimin për këto ligje (për harmonizim me legjislacionin e BE-së, por jo të ndërlikuar dhe voluminoz). Kjo e hapi “kutinë e Pandorës”.
Të shohim se çfarë thotë BE-ja për këtë praktikë. Përdorimi i procedurës së shkurtuar për miratimin e ligjeve në përgjithësi është objekt i rregullt kritike në raportet e Komisionit Evropian tashmë mbi pesëmbëdhjetë vite. Për herë të parë në mënyrë specifike flamuri përmendet në Raportin e vitit 2020, ku përmendet se deputetët janë dakorduar që në kuadër të Dialogut Zhan Mone të bëjnë ndryshime edhe në lidhje me ligjet e shënuara me flamurin e BE-së. Kjo përmendet si një obligim i pakryer edhe në dy raportet vijuese, atë të 2021-shit dhe atë të 2022-shit. Si gjithmonë, Komisioni Evropian ishte i kujdesshëm kur e vlerësonte përdorimin e flamurit të BE-së për procedurën e shkurtuar në Kuvend. Kështu, në raportet e viteve 2021 dhe 2022 është shtuar se opozita e ka kritikuar përdorimin e flamurit të BE-së (në fakt, kjo është ajo opozitë e cila ka qenë pozitë në vitin 2013 dhe në kohën e së cilës është aplikuar procedura e shkurtuar). Megjithatë, në dy raportet e fundit u shtua edhe rekomandimi se “përdorimi i “flamurit të BE-së” duhet të jetë koherent/konsistent dhe i lidhur me ligje, pjesa më e madhe e të cilëve ka për qëllim harmonizimin me acquis-in e BE-së”. Nuk është vështirë të dallohet se këtë mesazh ditëve të fundit e hapi ambasadori i BE-së në vend, duke rikujtuar se “flamuri evropian duhet të përdoret vetëm kur bëhet fjalë për ligje që janë të lidhur me normat dhe standardet evropiane”.
Nëse e shqyrtojmë ne thelb çështjen e procedurës së veçantë-të përshpejtuar të sjelljes së akteve që kontribuojnë në harmonizimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së parashtrohen dy pyetje bazë: 1) Për cilat akte të BE-së bëhet fjalë; 2) Nevoja për të shpejtuar në harmonizim me legjislaturën e BE-së.
Dispozitat e rregullores së kuvendit janë rezultat i përvojave të qasjeve të mëparshme, ndërsa në masë të madhe janë zgjidhje të kopjuara nga shtete që kanë aderuar më parë në BE (shpesh edhe me kontribut nga projekte të financuara nga BE-ja ose donatorë të tjerë). Problemi është se gjatë kopjimit nuk bëhet kujdes për specifikat e procesit të tanishëm të aderimit.
Në zgjerimin e kaluar programet për harmonizim me acquis-in e BE-së kryesisht përbëheshin nga harmonizimi me direktivat dhe rregullativat e BE-së. Ato nuk i kishin si prioritet “Themelet”. Ajo që sot nënkuptohet me acquis është shumë më e gjerë se ajo që atëherë ishte acquis, thjeshte për shkak se ndërkohë ajo u zgjerua, duke përfshirë fushat e të drejtave themelore dhe sundimit të së drejtës. Kësisoj, metodologjia e harmonizimit duhet të inovohet në masë të madhe, pikërisht duke pasur parasysh zhvillimin e acquis-it. Mirëpo, thelbi i kësaj çështjeje është larg fokusit të debatit. Për fat të keq, “harmonizimi me legjislaturën e BE-së shërben vetëm për arsyetim të zgjidhje parciale, të udhëhequra nga pragmatizmi politik, të cilat shpesh shkojnë kundër “normave dhe standardeve” të BE-së.
Pyetja e dytë – përse të shpejtohet? Përse duhet procedurë e shkurtuar për këto ligje? Ato të cilët e aplikuan kishin një datë të caktuar (dhe të shkurtër) për aderim (e me atë edhe për të ndërmarrë të tërë acquis-in). Ky nuk është rast me ne. Ne kemi kohë të mjaftueshme për diskutim, vetëm nëse duam.