Hulumtimi i UKM-së: 37 përqind e fëmijëve në RMV nuk ndjehen të sigurtë në shkolla, 27 përqind nuk dinë si të tregojnë se janë viktimë e dhunës

37% e fëmijëve në shkollat e vendit thonë se nuk ndjehen të sigurtë në shkollë, ndërsa 24 përqind e nxënësve thonë se janë viktimë e dhunës fizike. 27 përqind e fëmijë nuk e dinë kujt dhe si t’i njoftojnë se janë viktimë e dhunës, ndërsa shpesh nuk dinë as ta identifikojnë dhunën, transmeton Portalb.mk.

Këtë e tregojnë rezultatet e projektit shkencor hulumtues “Siguria në shkolla”, i realizuar nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodij” nga Shkupi, së bashku me një ekip profesorësh nga Fakulteti Filozofik.

“Para dhjetëra vitesh kemi pasur fëmijë të cilët ndoshta nuk e kanë njohur apo në numër më të vogël e kanë identifikuar dhunën, edhepse atëherë nuk kemi folur aspak për dhunën digjitale apo kibernetike. Sot mund të them se, dhuna digjitale është njëri ndër problemet më të shpeshta me të cilin përballen të rinjtë apo fëmijët. Informata që mua më habit është që, 37 përqind e fëmijëve theksojnë se çdo ditë nuk ndjehen mirë dhe sigurtë në shkollë”, deklaroi Sofija Georgievska, profesoreshë në Fakultetin Fiozofik, e cila është pjesë e ekipit të punoi huumtimin.

Alarm edhe më i madh sipas profesoreshës është që, 27 përqind e fëmijëve nuk kanë kujt apo nuk dinë se si të njoftojnë se janë viktimë e dhunës. Ajo theksoi se, prindërin, mësimdhënësit dhe profesionistët në shkollë janë ata të cilët të parët duhet të flasin me fëmijët dhe t’ju mundësojnë të flasin se si ndjehen.

Qëllimi i këtij projekti, siç njoftuan nga UKM, është përmirësimi i sigurisë së përgjithshme dhe personale e nxënësve në institutet arsimore dhe edukative, si dhe ulja e të gjitha formave të dhunës mes nxënësve.

Me këtë projekt janë përfshirë mbi 2000 nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme në territorin e Shkupit dhe të vendit.