Në veri të Kosovës protestohet kundër ndalimit të Arsenijeviqit
Qindra qytetarë dhe aktivistë kanë protestuar të enjten në Mitrovicë të Veriut, kundër arrestimit të liderit të partisë, Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë, një ditë më parë, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ai akuzohet për veprën penale “ngacmim”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Arsenijeviq është arrestuar me urdhër të Prokurorisë, në bazë të raportimit të Visar Sylës, shefit të kabinetit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut.
Në muajt e fundit, Arsenijeviq sfidon pothuajse çdo ditë, me një bilbil, legjitimitetin e Kosovës në atë pjesë, si dhe pushtetin qendror.
Ai dhe kolegët e tij partiakë pretendojnë se bëhet fjalë për “aktivizëm politik” dhe protesta paqësore kundër regjimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kjo është hera e tij e pestë që ndalohet me bilbil në afërsi të zyrtarëve të Kosovës, me arsyetimin se po prish rendin dhe qetësinë publike.
Ai ka protestuar me bilbil edhe më 10 shtator, ditën kur Kurti e ka realizuar një vizitë në Mitrovicë të Veriut.
Edhe atëherë, sektori civil shqiptar dhe serb e ka dënuar arrestimin e tij, duke thënë se ai ka protestuar në mënyrë jo të dhunshme.
Të tubuarit në protestën e 10 tetorit, të shoqëruar me tingujt e bilbilit, mbanin në duart mbishkrimet: “Bravo EULEX, ju i mësuat mirë”, dhe “A është BE-ja e shqetësuar?”.
Disa organizata joqeveritare, në mesin e tyre Nisma e Re Sociale dhe Aktiv, i kanë dërguar letër Avokatit të Popullit, duke kërkuar reagim të menjëhershëm që zyra e tij të përfshihet në këtë rast.
Nënkryetari i Demokracisë Serbe, Stefan Vellkoviq, është zotuar se nuk do ta ndalë aktivizmin politik me bilbil.
“Ne do të vazhdojmë protestën me bilbil, çdo ditë, do të bëjnë protestë paqësore demokratike siç kemi bërë deri tani. Kosova është e jona, aq sa është e shqiptarëve, goranëve, romëve, boshnjakëve dhe komuniteteve dhe popujve të tjerë që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Vellkoviq.
Në protestë janë parë edhe disa përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ndalimi policor i Arsenijeviqit është dënuar më 9 tetor edhe nga një grup individësh nga sektori civil serb, të cilët kanë vlerësuar se arrestimi i tij – pas një proteste paqësore kundër kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq – është i motivuar politikisht.
Atiq është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
Ai i ka fituar zgjedhjet në procesin zgjedhor të bojkotuar nga serbët dhe Lista Serbe.
Një grup individësh, duke përfshirë Miodrag Milliqeviqin nga organizata joqeveritare Aktiv, Jovana Radosavleviqin nga Iniciativa e Re Sociale, dhe Miodrag Marinkoviqin nga Qendra për Veprime Afirmative Sociale, kanë thënë se aktivizmi politik dhe protesta e Arsenijeviqit kundër zyrtarëve politikë “nuk rrezikon askënd”.
“Një veprim i tillë i autoriteteve të Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së fjalës dhe të drejtës për protestë dhe duhet të jetë një paralajmërim për të gjithë shoqërinë kosovare”, është thënë në deklaratë.
Aty është kërkuar lirimi i Arsenijeviqit dhe reagimi i menjëhershëm i organizatave ndërkombëtare.