Në Tetovë për herë të parë do të kryhet dezinsektimi kundër mushkonjave, komuna me kërkesë deri te qytetarët

Komuna e Tetovës ka paralajmëruar që në orët e mbrëmjen do të fillon dezinsektimi i qytetit për herë të parë, si një masë parandaluese kundër mushkonjave, transmeton Portalb.mk.

“Me datë 04.08.2023 vit. SH.T.P.SH PRONTTO në bashkëpunim me Komunën e Tetovës do t’a realizoj dezinsektimin e parë nga toka në territorin e Qytetit të Tetovës për zhdukjen e mushkonjave të rritura dhe dëmtuesve të tjerë”, raportojnë nga Komuna e Tetovës, duke kërkuar lirimin e trotuareve afër hapësirave të gjelbra.

Komuna sqaroi që ky proces do të realizohet nga ora 22:00 deri në orët e mëngjesit, nëse kushtet atmosferike mundësojnë një gjë të tillë.

“Në rast të kohës me shi ose me erë të fortë dezinsektimi do të anulohet për ditën e ardhshme ose për ndonjë ditë tjetër ne kushte në të mira atmosferike”, sqarojnë nga Komuna, duke kërkuar nga bletarët që të kujdesen për bletët.

Ndryshe, Qyteti i Shkupit për këtë vit ka realizuar fazën e katërt të dezinsektimit përmes aeroplanëve.