Në tetë lokacione janë duke u bërë bastisje për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në spitalin e Prilepit

Drejtoria e Policisë Financiare sot po kryen bastisje në tetë lokacione për shkak të dyshimeve lidhur me funksionimin financiar të spitalit të Prilepit, njofton Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Ata thonë se Prokuroria Themelore Publike (PTHP) në Prilep është duke vepruar në procedurë para hetimore për shkak të dyshimeve për vepër penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar lidhur me punën financiare të spitalit të Prilepit.

“Për tetë lokacione janë siguruar urdhra për bastisje, ndërsa veprimet po kryhen nga Drejtoria e Policisë Financiare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.

Pas përfundimit të bastisjeve, njofton Prokuroria Publike, procedura para hetimore do të vazhdojë me veprime të tjera për sigurimin e provave.

Vitin e kaluar, menaxhmenti i ri i Spitalit të Përgjithshëm me aktivitet të zgjeruar në Prilep deklaroi se institucioni ka trashëguar borxhe prej 193 milionë denarë dhe llogari të bllokuar.

Më pas Policia Financiare ka nisur inspektimin e operacioneve financiare të spitalit.