Në Teatrin e Gostivarit sonte do të jepet premiera e shfaqjes “Cilindri”, nën regji të Afërdita Nuhijit
Sonte (25 maj) në Teatrin e Gostivarit, me fillim nga ora 20:00, do të shfaqet premiera e shfaqjes “Cilindri”, nga Eduardo de Filipo, nën regji të Afërdita Nuhiji, shkruan Portalb.mk.
Regjisorja Afërdita Nuhiji për Portalb.mk tha se vepra “Cilindri” flet për Napolin e viteve 1960, për bumin ekonomik dhe krizën ekonomike.
“Me “Cilindrin” do të shfaqim për publikun një komedi, në fakt është komedi e shkruar nga autori, ku sigurisht me përpunimin tim, me mënyrën time, me stilin tim se si i punoj unë shfaqjet, dhe me dëshirën time se çka unë dua të përcjellë mbi konceptin tim, jam përpjekur që përmes kësaj shfaqje të përfshi të gjithë ngjyrat e zhanrit të punës së teatrit. Vepra flet për Napolin e viteve 1960 për bumin ekonomik dhe krizën ekonomike”, tha Nuhiji.
Nuhiji tha se vepra flet për të fortit, të pushtetshmin, për njerëzit që nuk i tremben fjalës sa i tremben formës d.m.th. cilindrit, për kapelën si simbol i shoqërisë që është skllave e paraqitjeses së formës dhe shumë tema të tjera.
“Kjo vepër ka një titull shumë unik dhe shumë interesant, por kjo është merita e autorit, i cili ka përdorur simbolin, si strategji e kapelës cilindër, e cila është symbol i autoritetit. Kjo shfaqje do të flas për të fortit, të pushtetshmin, për njerëzit që nuk i tremben fjalës sa i tremben formës d.m.th. cilindrit. Flet për kapelën si simbol i shoqërisë që është skllave e paraqitjes së formës, për masën që i mashtron njerëzit, flet për paratë, luftën për karrige, luftën për ekzistencë, luftën, kundrejt shtetit, lufta kundrejt arrogancës së të pasurve ndaj të varfërve, lufta kundrejt hipokrizisë, jetesat dhe problematikat bashkëkohore, shqetësimi i realitetit shoqëror dhe shumë tema të tjera”, tha Nuhiji.
Ajo edhe më tej shtoi së i gjithë publiku do e gjejë veten në këtë shfaqje.
“Ky tekst do të japë shumë mesazhe të mira, dhe mendoj që gjithë secili në publik që do gjendet, unë nuk besoj që do dale dikush nëse nuk do e gjej vetën në këtë shfaqje”, tha Nuhiji.

Nuhiji gjithashtu deklaroi se në shtator do vjen edhe me një projekt të ri.
“Fillimisht uroj që kjo shfaqje të ketë jetëgjatësi, të ketë më shumë repriza, të shfaqet nëpër qytete të ndryshme, nëpër mare pjesë nëpër festival të ndryshme dhe që sonte të dalim faqe bardhë dhe të kemi sukses në atë që jemi munduar dhe përpjekur. Në shtator do e filloj procesin për një shfaqje të re, do të filloj në Teatrin e Tetovës, do të jem me një tekst të Stribergut, uroj që edhe aty të kemi një produkt të mirë final. Pastaj do të kemi edhe Festivalin e Teatrit në Kërçovë “Uskana Fest”, dhe aty do shfaqim shfaqje shumë të mira”, tha Nuhiji.
Komedia “Cilindri” ka të bëjë me dy çifte të varfra shpikin një strategji për të siguruar jetesën: bukuroshja Rita shtiret si prostitutë dhe, pasi merr pagesën paraprake, i çon klientët në dhomën e saj. Kur u tregon atyre shtratin ende të zënë nga trupi i bashkëshortit të saj të ndjerë-i cili në të vërtetë është gjallë e mirë-klientët ikin të tmerruar, falë edhe pranisë së Agostinos dhe cilindrit të tij, që e bën gjithçka të duket edhe më e zymtë.
Në shfaqje luajnë aktorët: Arian Ejupi, Kujtime Ahmeti, Vullnet Ismani, Ajshe Useini, Driton Lazami, Afrodita Xhaferi-Krasniçi, Besnik Rushiti, Besian Sulejmani, Gentijan Mersimi.
