Zanë Memeti: Letërsia nuk mund të matet me aparat, arti nuk është matematikë
Në një kohë kur të shkruarit është bërë më i dukshëm, ndërsa leximi kërkon gjithnjë e më shumë përkushtim, letërsia përballet me sfida që shkojnë përtej vetë krijimit. Raporti mes autorit dhe lexuesit, ndikimi i rretheve letrare, liria e gruas për të shkruar pa paragjykime dhe varfërimi i gjuhës shqipe janë vetëm disa nga çështjet që kërkojnë reflektim. Në një intervistë për Portalb.mk, shkrimtarja dhe profesoresha e gjuhës shqipe, Zanë Memeti foli për letërsinë si hapësirë përballjeje me vetveten dhe shoqërinë, për kufirin mes përvojës personale dhe artit, për paragjykimet ndaj grave që shkruajnë, si dhe për sfidat e shqipes në kohën e rrjeteve sociale. Ajo foli gjithashtu për meritën në skenën letrare, marrëdhënien mes autorëve dhe rretheve të tyre, si dhe për atë kërkim të vazhdueshëm krijues që, sipas saj, e shtyn shkrimtarin të mos kënaqet me atë që tashmë ka arritur.
Portalb.mk: A kemi sot më shumë njerëz që shkruajnë sesa njerëz që lexojnë, dhe a rrezikon letërsia shqipe të mbetet brenda një rrethi ku autorët lexojnë vetëm njëri-tjetrin?
Zanë Memeti: Jetojmë në një kohë kur të shkruarit është bërë shumë i lehtë për t’u shfaqur, ndërsa të lexuarit kërkon ende kohë, durim dhe një lloj heshtjeje, që kjo kohë nuk e favorizon.
Rrjetet sociale ia kanë dhënë kujtdo mundësinë të publikojë, por publikimi nuk është e njëjta gjë me krijimin dhe dukshmëria, nuk është e njëjta gjë me vlerën. Rreziku fillon atëherë kur shkrimtari shkruan për të marrë një pasqyrim nga rrethi i vet, ndërsa lexuesi jashtë këtij rrethi mbetet larg.
Letërsia nuk mund të jetojë vetëm nga shkrimtarët, që i lexojnë shkrimtarët. Ajo ka nevojë për lexuesin që nuk shkruan, për njeriun që hap një libër, jo për t’i bërë një nder autorit, por sepse aty kërkon një përgjigje për diçka, që nuk di ta emërtojë në jetën e vet.
Mendoj se sot kemi nevojë jo vetëm për më shumë libra, por për më shumë vetmi të lexuar. Sepse libri kërkon një marrëdhënie intime mes njeriut dhe fjalës, dhe kjo marrëdhënie nuk mund të zëvendësohet nga pëlqimet.
Një letërsi që ushqehet vetëm nga duartrokitjet e brendshme rrezikon të bëhet jehonë. Letërsia e vërtetë, duhet të jetë zë që arrin edhe atje ku autori nuk ka qenë kurrë.
Portalb.mk: Sa e lirë është realisht një shkrimtare grua në shoqërinë tonë për të shkruar për dhimbjen, dashurinë, trupin dhe revoltën pa u paragjykuar?
Zanë Memeti: Liria e gruas për të shkruar është zgjeruar, por paragjykimi nuk është zhdukur; ai është bërë më i sofistikuar.
Ende ndodh që një grua të gjykohet jo vetëm për atë që shkruan, por për të drejtën që i atribuohet për ta shkruar atë. Kur ajo flet për dhembjen, pyetet nga e ka marrë. Kur flet për dashurinë, kërkohet historia pas vargut. Kur revoltohet, shpesh gjykohet për tonin e revoltës, në vend që të dëgjohet arsyeja e saj.
Kjo më duket një nga format më të vjetra të kontrollit; t’i kërkosh gruas ta shpjegojë veten para se t’i lejosh të shprehet.
Unë çdo herë them se një njeri që shkruan, jeton në dy botë paralelisht: në atë realen dhe imagjinaren.
Besoj se shkrimtarja nuk duhet të jetë e bindur, se duhet të jetë e pranueshme. Ajo duhet të jetë e vërtetë me atë që shkruan, qoftë imagjinatë, qoftë historia e saj, apo e dikujt tjetër. Nëse letërsia do të kishte detyrë të na bënte të rehatshëm, nuk do të kishte nevojë të ekzistonte.
Për mua, gruaja që shkruan nuk duhet të kërkojë leje, për ta kthyer përvojën e saj në art. Ajo nuk i detyrohet shoqërisë t’i ofrojç një version të zbutur të vetes.
Portalb.mk: Në poezinë tuaj ka shumë introspeksion dhe përplasje të brendshme. A është shkrimi për ju art, terapi apo një mënyrë për t’u përballur me gjëra që nuk mund të thuhen publikisht?
Zanë Memeti: Shkrimi për mua është më shumë se të trija, por nuk është plotësisht asnjëra.
Nuk shkruaj vetëm për t’u çliruar nga ajo që më dhemb. Po të ishte vetëm kjo, do të mjaftonte një rrëfim. Poezia fillon aty ku rrëfimi nuk mjafton më.
Unë hyj në shkrim me një përvojë personale, por nuk dua të mbetem peng i saj. Përpiqem ta çoj dhembjen nga historia ime drejt një pyetjeje njerëzore. Nuk më intereson vetëm çfarë më ka ndodhur mua; më intereson çfarë i ndodh qenies njerëzore kur përballet me humbjen, dashurinë, vetminë, pritjen, zhgënjimin apo me vetveten.
Prandaj, poezia ime është një lloj përballjeje me atë që nuk mund të thuhet drejtpërdrejt. Por nuk e quaj terapi, sepse terapia kërkon shërim, ndërsa letërsia ndonjëherë bën diçka tjetër; e kthen plagën në vetëdije.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse shkruaj. Jo për ta harruar atë që e kam përjetuar, por për t’i dhënë një kuptim që përvoja vetë nuk e kishte.
Portalb.mk: A mendoni se skena letrare shqiptare funksionon gjithmonë mbi meritën, apo edhe këtu ndikojnë rrethet, miqësitë dhe afërsitë personale?
Zanë Memeti: Nuk besoj në një botë letrare krejtësisht të pastër, nga marrëdhëniet njerëzore. Edhe letërsia zhvillohet brenda shoqërisë dhe aty ekzistojnë miqësi, rrethe, afërsi, interesa dhe preferenca.
Por shqetësimi fillon, kur marrëdhënia e zë vendin e veprës.
Nuk më shqetëson fakti ,që dy apo më shumë shkrimtarë janë miq. Është më se normale. Më shqetëson kur miqësia prodhon një heshtje kolektive përballë dobësisë, ose kur një emër fillon të peshojë më shumë, se ajo që ka shkruar.
Nuk mendoj se çdo gjë në letërsi, mund të matet me një aparat objektiv. Arti nuk është matematikë. Por ekziston një dallim mes subjektivitetit estetik dhe padrejtësisë.
Koha është kritikja më e pamëshirshme. Mund të ndërtosh një rreth që të duartroket, mund të krijosh një emër që qarkullon, por nuk mund ta detyrosh një vepër të jetojë, nëse nuk ka brenda saj diçka që i mbijeton kohës.
Rrethi mund të të hapë një derë. Vetëm vepra vendos nëse do të mbetesh brenda letërsisë.
Portalb.mk: Si profesoreshë e shqipes, a ju shqetëson mënyra se si po flitet dhe shkruhet sot shqip, sidomos në rrjetet sociale dhe në media? A po e varfërojmë gjuhën?
Zanë Memeti: Po, dhe shqetësimi im është shumë më i madh se gabimet drejtshkrimore, apo në shqiptim. Kemi aq problem të madh, sa që ekzistojnë edhe nxënës që nuk dinë shkrim-lexim të mirëfilltë.
Poashtu më shqetëson fakti që po rritet një brez që, në shumë raste, i njeh më mirë gjuhët e huaja, sesa gjuhën amtare. Të mësosh gjuhë të huaja është pasuri dhe nuk do të doja kurrë t’ua kufizoja këtë nxënësve. Por nuk mund të quhet përparim nëse, duke mësuar gjuhët e botës, e humbasim aftësinë për ta shprehur në gjuhën tonë, atë që e mendojmë dhe e ndiejmë.
Gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi. Ajo është kujtesë, identitet, mënyrë mendimi dhe mënyrë e perceptimit të botës.
Prandaj, më shqetëson edhe varfërimi i fjalorit. Sepse kur një fëmijë ka gjithnjë e më pak fjalë për ta përshkruar një ndjenjë, një ide apo një përvojë, nuk varfërohet vetëm gjuha e tij. Ngushtohet edhe hapësira e tij e mendimit.
Rrjetet sociale kanë sjellë një komunikim të shpejtë dhe shpesh të fragmentuar. Por nuk mund t’ia faturojmë teknologjisë gjithçka. Përgjegjësia është e jona: e familjes, e shkollës, e medias, e institucioneve dhe e kulturës sonë të leximit.
Si profesoreshë e shqipes, dua që nxënësi im të dijë anglisht, gjermanisht apo çdo gjuhë tjetër që mund t’i hapë një derë në botë. Por dua që, kur të ketë diçka thelbësore për ta thënë, të mos i mungojnë fjalët në gjuhën e nënës.
Portalb.mk: Cila është ajo gjë që Zanë Memeti ende nuk ka pasur guxim ta shkruajë, por që e di se një ditë do ta hedhë në letër?
Zanë Memeti: Nuk besoj se është domosdoshmërisht një gjë, që nuk kam pasur guxim ta shkruaj. Mendoj se çdo shkrimtar ka një territor, që ende nuk e ka pushtuar dhe, për mua, ky territor ndryshon sa herë që mendoj se kam arritur diku.
E kam një marrëdhënie të vështirë, me atë që arrij. Nuk di të kënaqem gjatë me një tekst, me një libër apo me një sukses. Sapo përfundoj diçka, filloj ta shoh boshllëkun që ka mbetur pas saj.
Por nuk e shoh këtë gjithmonë si pakënaqësi. Është edhe një lloj etjeje krijuese.
Ndoshta ajo që ende nuk e kam shkruar, është pikërisht ajo që ende, nuk kam arritur ta kuptoj plotësisht te vetja dhe tekë njeriu. Nuk dua të shkruaj vetëm atë që di. Dua të shkruaj edhe për atë që më detyron të mendoj më thellë, se sa kam menduar deri dje.
Prandaj nuk kam një tekst të fundit në mendje. Kam një horizont që largohet sa herë i afrohem.
Dhe ndoshta kjo është ajo që më mban duke shkruar; bindja, se vepra ime e ardhshme duhet të më gjejë më larg nga ajo që kam qenë në veprën e mëparshme.
Nuk dua të përsëris veten, vetëm sepse një version i imi ka funksionuar. Dua ta sfidoj atë.