Në shtator do të ketë harmonizim të rregullt të pensioneve në RMV, shuma ende po llogaritet

Nga muaji i ardhshëm do të ketë rritje të rregullt të pensioneve, sipas përqindjes së harmonizimit të përcaktuar me Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, konfirmoi kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.

“Po, ky do të jetë një harmonizim i rregullt, një nivelim në përputhje me ligjin. E dini se kishte iniciativa nga individë, të nxitura në prapavijë nga partitë politike, për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e rritjes lineare të pensioneve. Për t’i mbrojtur pensionistët dhe pensionet, në vazhdim rritja do të bëhet në përputhje me harmonizimet e përcaktuara me ligj”, tha Mickoski, në përgjigje të një pyetjeje të gazetarëve pas vizitës në Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike sot, më 25 gusht.

Sipas Mickoskit, shuma e rritjes së pensioneve ende është duke u llogaritur.

Pensionet harmonizohen dy herë në vit, më 1 mars dhe më 1 shtator. Sipas ligjit, në llogaritje marrin pjesë në mënyrë të barabartë rritja e pagës mesatare të paguar dhe rritja e kostos së jetesës.

Gjatë dy viteve të fundit, pensionistët përfituan rritje lineare të pensioneve prej gjithsej 7.000 denarësh.

Kujtojmë se në shtator të vitit të kaluar, me 79 vota “pro” dhe asnjë “kundër” ose “abstenim”, deputetët miratuan ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, të cilat mundësuan rritje lineare të pensioneve me 2.000 denarë.