Në Maqedoninë e Veriut vlon ofensiva me dezinformata dhe diskreditime

Nuk kaluan as disa ditë që kur deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov, njoftoi se për momentin është duke u zhvilluar një operacion diskreditimi i koordinuar dhe i synuar kundër Maqedonisë, Qeverisë dhe personalisht kundër kryeministrit Mickoski – ndërsa edhe ai vetë u kthye në shënjestër të të njëjtit operacion, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.

Në një tekst identik të botuar në mediat bullgare ai është përshkruar si i vetmi maqedonas në një familje ku “pothuajse 20 Lefkov nga Koçani, të gjithë kushërinj të parë dhe të dytë, si dhe vëllai i tij, rezultuan të ishin shtetas bullgarë, pasi kishin kaluar nëpër një procedurë në të cilën kishin deklaruar se kanë pasur një gjysh bullgar dhe se vetë ndiheshin bullgarë”.

Burimi i pretendimeve të tilla nuk dihet, por përkujtohet se pikërisht Levkov ishte ai që ka deklaruar se shërbimet bullgare dhe bashkëpunëtorët e tyre në Maqedoni po kryejnë një operacion të koordinuar kundër Kryeministrit, Qeverisë dhe shtetit.

“Ky operacion po kryhet duke përdorur metoda klasike hibride: përhapjen e informacioneve të rrejshme, sajimin e aferave, dokumenteve të fabrikuara, diskreditimin personal dhe familjar, abuzimin me tragjeditë njerëzore dhe insinuatat ekonomike”, tha Lefkov në një konferencë për shtyp disa ditë më parë.

“Dyshimet për ekzistencën e rrjeteve të tilla dezinformative tashmë janë dokumentuar nga burime ndërkombëtare. Që më herët DFRLab (Digital Forensic Research Lab) zbuloi një rrjet prej qindra portalesh të koordinuara me origjinë nga Bullgaria, të cilat përdoren për të përhapur narrativa anti-perëndimore dhe anti-maqedonase. Sipas raportit të tyre, ata veprojnë përmes nën-domeneve dhe faqeve të sinkronizuara në Facebook, me qëllim mbështetjen e agjendave që bien ndesh me vlerat e demokracisë, stabilitetit dhe kursit euro-atlantik. Për fat të keq një pjesë e këtyre përmbajtjeve merret edhe nga portalet në Maqedoni të afërt me LSD-në, ndërsa disa përfundojnë edhe në mediat tradicionale”, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së.

Në një nga konferencat për shtyp në të njëjtën temë ai theksoi se qarqe të caktuara në LSDM dhe ata që janë të afërt me to financohen plotësisht nga fondet bullgare, e me qëllim fabrikimin dhe përhapjen e orkestruar të gënjeshtrave dhe trillimeve për politikanët e VMRO-DPMNE-së dhe udhëheqësinë shtetërore. Dyshohet se, siç tha ai, financuesi përfundimtar i operacioneve të tilla është një vend i madh lindor, i cili ka një ndikim të fuqishëm edhe në Bullgari.

“Është shokuese se me çfarë lehtësie LSD-ja është vënë në shërbim të plotë të agjencive dhe interesave bullgare. Në periudhën që vjen do të shohim shumë lajme të fabrikuara, dokumente të rrejshme dhe reagime të imponuara”, paralajmëroi dje Lefkov.

Dhe e qëlloi.

Diçka tashmë e parë

Nga LSDM-ja kohët e fundit theksuan se propaganda për shërbimet e huaja është e vjetër dhe se “teatri me ‘patriotë dhe tradhtarë’ shërben vetëm për ta fshehur dështimin epik të Qeverisë së Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së dhe për ta fshehur faktin se Mickoski dhe gjysma e qeverisë së tij ndjehen bullgarë”.

“Furgonët e verdhë u kthyen, VMRO-DPMNE-ja është në një gjendje paranoje dhe në një proces shpërqendrimi nga problemet reale”, u përgjigjën nga LSDM-ja.

Por, u rikthyen shpejt edhe kujtimet e episodeve tashmë të para me pretendime për shtetësi bullgare. Katër vjet më parë në periudhën para zgjedhjeve lokale, LSDM-ja në një konferencë për shtyp publikoi se kandidatja e pavarur për kryetare të Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, e mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja, tashmë dhjetë vite ka një atdhe rezervë: në vitin 2011 ajo ka marrë shtetësi bullgare, pastaj ka marrë edhe një letërnjoftim bullgar me adresë në qytetin Petriç, por edhe se edhe bashkëshorti i saj i ka të njëjtat dokumente bullgare.

“Qytetarët e Shkupit zgjedhin një kryetar komune, jo një kryeplak. Të bashkohemi dhe të mos lejojmë që instalacionet e huaja të lidhura me të kaluarën të kenë mundësi ta shkatërrojnë Shkupin”, bënë thirrje nga LSDM-ja.

Arsovska atëkohë mohonte se kishte shtetësi dhe letërnjoftim bullgar, ndërsa në Bullgari u tmerruan nga gjuha e urrejtjes dhe sulmet e LSDM-së kundër një qytetari me vetëdije bullgare. Por, situata ndryshoi shpejt. Pas një viti, kur Arsovska dhe VMRO-DPMNE u distancuan, LSDM nuk e përmendi më shtetësinë bullgare të kryetares së Qytetit të Shkupit, as ajo nuk i ngriti paditë e paralajmëruara për akuzat e tilla nga LSDM-ja.

Gënjeshtra me porosi

Në prag të ciklit të ri të zgjedhjeve lokale situata sërish po vlon. Pas akuzave në mediat bullgare Lefkov në profilin e tij në Facebook vlerësoi se ofensiva hibride po bëhet me hov të plotë!

“…Gënjeshtrat, lajmet, diskreditimet, fillojnë me porosi, nga botet, faqet e fshehura ose bullgare, ndërsa pastaj përhapen si me shpejtësinë e dritës! Veprim i koordinuar dhe i kushtueshëm! LSDM tani duhet të japë shpjegim për deklaratën e saj plot fyerje, duke iu referuar ‘furgonëve të verdhë’ dhe paranojës – përderisa në realitet Maqedonia dhe politikanët që i mbrojnë interesat kombëtare janë në shënjestër të një sulmi të sinkronizuar. Kjo nuk është paranojë, por një operacion i organizuar kundër të gjithë atyre që luftojnë për interesat maqedonase – LSD duhet të zgjedhë një anë”, shkroi ai.

Sipas një eksperti të medias, ajo që tërheq vëmendjen është zgjedhja dhe ndryshimi i shpejtë i mediave në të cilat publikohen këto diskreditime.

“Para një jave kryeministri i Maqedonisë u vu në shënjestër në një ‘ekosistem’ mediatik i cili edhe tek fqinjtë tanë nuk konsiderohet si  shtyp i verdhë, por si një standard informativ i thellë. Pasi këto dhe portale të tjera këtu tek ne u cilësuan si të pabesueshme dhe manipulative, tani akuzat po publikohen në media që konsiderohen më të besueshme. Ky ‘kalim’ tregon se ekziston një sistem që kujdeset për kanalet e shpërndarjes dhe qëllimin e atyre dezinformatave”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Të sinkronizuar me partitë dhe individët e opozitës

A bëhet fjalë vetëm për raportime mediatike nga fqinjësia, të cilat gjejnë “partnerë” me interes në Maqedoni që me shpejtësi të madhe i përjetësojnë këto diskreditime, apo bëhet fjalë për diçka më të madhe se kjo?

Sipas ish-ministrit të punëve të brendshme dhe kryetarit të Aleancës Demokratike në pushtet, Pavle Trajanov, Maqedonia po përballet me aktivitete serioze që synojnë krijimin e një ndjenje pasigurie, mosbesimi ndaj shtetit dhe institucioneve vitale, nxitjen e jotolerancës fetare dhe etnike, si dhe përpjekje për përçarje në baza ideologjike, partiake dhe etnike që si qëllim përfundimtar kanë diskreditimin e qeverisë dhe ngjalljen e ndjenjës së mungesës së perspektivës.

“Këto procese nxiten nga shërbime të huaja që veprojnë në sinkronizim me partitë dhe individët opozitarë. Më agresive është fushata nga Bullgaria, e cila ka një bazë të fortë në BDI-në opozitare, por edhe në struktura të caktuara të LSDM-së. Qëllimi kryesor është diskreditimi para BE-së dhe SHBA-së, duke u përpjekur të promovojë praninë e një bote serbe, ndikimi rus, procesi të orbanizimit, varësi nga Kina dhe teza të ngjashme, të cilat i plasojnë në mënyrë shumë perfide nëpërmjet ish-zyrtarëve vendas”, thotë Trajanov.

Sipas tij, zjarrvënia dhe politizimi i tragjedisë në Koçan janë vetëm një pjesë e arsenalit më të ri.

“Ne në fakt po përballemi me radikalizmin më të fortë online, i cili krahas rrjeteve sociale, po zhvillohet edhe nëpërmjet mediave online. Kjo situatë është mjaft komplekse dhe për këtë arsye nevojitet një përgjigje institucionale dhe efektive, përmes ekspozimit të aktorëve vendas dhe të huaj që janë pa argumente dhe do të bien shpejt njësoj siç ranë edhe mbi 10 kartele të drogës të lidhura me udhëheqësit e partive nga qeveria e mëparshme. Demokracia, paqja dhe stabiliteti nuk kanë çmim, prandaj duhet të jemi të bashkuar. Bëhet fjalë për shtetin dhe perspektivën tonë evropiane”, tha Trajanov.