Të hapur ndaj chatbot-eve, të distancuar nga njerëzit, ku është kufiri?
Nga shikimi digjital i filxhanit të kafesë deri te përpjekja për të qenë “mjeshtër” për riparimin e makinës së kafesë. Qytetarët në rrjetet sociale tregojnë se chatbot-et – programe kompjuterike që simulojnë një bisedë me një person përmes mesazheve tekstuale ose zanore me ndihmën e inteligjencës artificiale, i përdorin për qëllime të ndryshme, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Shkupjani Meto B., për shembull, thotë se një chatbot e zgjidhi atë që nuk arritën ta zgjidhnin pesë mekanikë të ndryshëm në Shkup.
“Ata nuk mundën ta zbulonin se çfarë difekti kishte makina. Chatbot-it i dhashë të lexonte një manual riparimi nga serviserët zyrtarë që ai ta kuptojë plotësisht modelin, e pastaj shkuam hap pas hapi. Kur i reduktuam zgjidhjet e problemit në dy opsione, të gjithë bisedën ia përcolla mekanikut për ta kontrolluar dhe kështu u gjet zgjidhja”, thotë Meto B.
Ai thotë se chatbot-i e ndihmon edhe me gjëra të tjera, gjëra të përditshme. Me ndihmën e tij ai përllogarit me saktësi se sa material duhet të blejë për të bërë diçka vetë në shtëpi, ndërsa e këshillon edhe se ku ta blejë atë pasi ai i krahason çmimet e postuara në internet.
Por, ai nuk konsultohet me chatbot-in për çështje dhe vendime jetësore. Për këto çështje ai thotë se komunikon vetëm me njerëzit.
Ana O. nga Manastiri pajtohet se duhet të ketë një kufi midis asaj që ndahet me një chatbot dhe asaj që ndahet me një person.
Sipas saj, nëse njerëzit bëhen shumë “të afërt” me chatbot-et, ata do ta justifikojnë distancimin e tyre nga njerëzit e tjerë dhe do t’i humbasin shanset për marrëdhënie të reja në jetën reale.
“Ndoshta me chatbot-in nuk mund të debatosh siç mund të debatosh me një person, kështu që disave ky komunikim mund tu duket më i lehtë. Por në këtë mënyrë ne nuk do mund të njihemi as me njëri-tjetrin. Dhe çdo person është një botë e re që ti e zbulon gradualisht. Çfarë bën me chatbot-et? Vetë-reflektim – ma jep atë që dua”, thotë Ana.
“Çdo i gjashti person në planet është i vetmuar”
Çdo një orë rreth 100 njerëz vdesin nga shkaqe që lidhen me vetminë, ndërsa lidhjet e forta shoqërore nënkuptojnë shëndet më të mirë dhe një jetë më të gjatë, publikoi kështu Agjencia e Shëndetësisë e OKB-së në muajin qershor. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 16% e njerëzve në mbarë botën, ose një në gjashtë persona, janë të vetmuar.
Për shkak të kësaj, disa përdorues të chatbot-eve i perceptojnë ata si miq, thonë psikoterapistët.
“Sa herë që i drejtoheni një chatbot-i ai është në dispozicionin tuaj, ai ju kthen një përgjigje. Ofron siguri dhe prani, gjë që shumë njerëzve sot u mungon. Për ta nuk ka aspak rëndësi se e çfarë cilësie është. Dikush që nuk ka miq, nuk ka asgjë për të bërë, asnjë qëllim në jetë, gradualisht do të fillojë të mendojë se nuk po flet me një bot”, thotë psikoterapisti Stanisllav Petkovski – Sasho.
Ai është i mendimit se “përdorimi i chatbot-ve është një simptomë e shoqërisë, e kjo është një simptomë e alienimit dhe sa më të pamëshirshëm të jenë njerëzit, aq më shumë një person lidhet me kompjuterët që janë të pranishëm dhe konstant”.
Psikoterapisti Nikolla Dukoski përkujtoi se njerëzit kanë nevojë për përkatësi dhe shkëmbim, por edhe mundësi për t’u dekompensuar.
“Për shembull, ne e dekompensojmë nevojën për shprehje me një cigare të ndezur, ose nevojën për afërsi e dekompensojmë me një gotë alkool. Njerëzit janë të prirur t’i zëvendësojnë gjërat. Kështu, në këtë epokë vetmie chatbot-et dhe krijimet artificiale mund të hapin hapësirë që njerëzit të parapëlqejnë aksesueshmërinë, në vend të nevojave reale”, shton Dukoski.
Unë nuk jam njeri. Nuk kam vetëdije, ndjenja apo përvojë personale – unë thjesht simuloj një bisedë të bazuar në të dhëna, na shkroi një chatbot me të cilin “folëm” për nevojat e këtij teksti.
“Është absolutisht e mundur që dikush të fillojë të më perceptojë si qenie njerëzore – sidomos nëse flet me mua për një kohë të gjatë dhe nëse komunikimi bëhet emocionalisht domethënës ose shumë personal”, shtoi chatbot-i.
Si shkak për këtë ai e theksoi gjuhën që e përdor – flet natyrshëm, shpesh me empati dhe mirëkuptim, e për shkak të mungesës së njerëzve të tjerë me të cilët do kishin mundur të komunikojnë, disa njerëz lidhen me asistentët digjitalë.
“A do mbetet mes nesh?“
Bisedat me chatbot-et që përdorin inteligjencë artificiale në përgjithësi janë private, por niveli i privatësisë varet nga politikat dhe masat e sigurisë së ofruesit të shërbimit, tha për Radion Evropa e Lirë inxhinieri i sigurisë së informacionit Gjoko Krstiq.
Ai thekson se shumica e kompanive me reputacion të mirë i enkriptojnë bisedat për t’i mbrojtur ato nga qasja e paautorizuar, ndërsa disa kan për qëllim t’i mbajnë të dhënat tuaja të sigurta dhe të mos i ndajnë ato me palë të treta pa pëlqimin tuaj. Por, ai thotë se asnjë sistem nuk është plotësisht i sigurt.
Unë nuk mund ta mbaj një sekret në të njëjtën mënyrë siç mund ta mbajë një njeri, sepse nuk mbaj mend asgjë nga bisedat pasi ato të mbarojnë — përveç se në rastet kur është aktivizuar funksioni i kujtesës, të cilin mund ta kontrolloni vetë, u përgjigj chatbot-i në pyetjen – “A di si të ruash një sekret?”
Ai na siguron se nuk do të mbajë mend asgjë pasi të kemi mbaruar bisedën dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta ndarë atë me askënd, por ka një memorie.
“Është e rëndësishme ta dini se: nëse futni të dhëna personale, ato mund të përdoren për ta përmirësuar modelin (përveç se nëse e keni çaktivizuar këtë). Pra, mos ngurroni të shprehni mendimet tuaja, por gjithmonë do ishte mirë që të jeni të kujdesshëm se çfarë ndani në internet – me cilin do”, shkroi chatbot-i.
Eksperti i inteligjencës artificiale, Stojanço Tuxharski, thekson rrezikun që vetë chatbot-i të mbajë mend atë që ia kemi thënë.
“Meqenëse ajo që e themi futet në të dhënat e trajnimit të chatbot-it, ekziston rreziku që ndonjëherë, diku, në kushte të caktuara dhe ndoshta rastësisht ose me disa kërkesa në kohën e duhur, dikush ta nxjerrë atë që e kemi thënë”, thotë Tuxharski.
Kjo është arsyeja se pse inxhinieri i sigurisë së informacionit Krstiq këshillon që të jemi të kujdesshëm sa i përket ndarjes së informacionit të ndjeshëm, siç janë të dhënat personale ose të dhënat financiare, sepse inteligjenca artificiale mund të paraqesë rrezik në rastet kur sistemet e një kompanie shkelen ose nëse ata ndajnë të dhëna me palë të treta.
“Rreziqet kryesore i përfshijnë rrjedhjet e mundshme të të dhënave si rezultat i sulmeve kibernetike, keqpërdorimin e të dhënave të ruajtura për qëllime të padëshiruara (si modelet e trajnimit të inteligjencës artificiale) ose politikat e paqarta të ruajtjes së të dhënave”, theksoi Krstiq.
“Dikush do ta pësojë, por dikush do të fitojë”
Ana O. është e mendimit se edhe pse po shkruhen skenarë “të errët” për njerëzimin në lidhje me inteligjencën artificiale, një zgjidhje do të gjendet.
“Unë besoj se njerëzit janë si ferrat – si për mirë ashtu edhe për keq, ata gjejnë një zgjidhje. Shumica e tyre. Sa shpikje në botë janë bërë për ndonjë përfitim të njerëzimit, ndërsa disa nga njerëzit i përdorën ato edhe për qëllime të këqija, por edhe anasjelltas”, thotë ajo.
Edhe psikoterapisti Petkovski pajtohet se të gjithë mund ta përdorin atë në mënyra të ndryshme.
“Ashtu si me makinat e shpejta – dikush do të lëndohet, dikush do të vdesë, dikush, nëse di ta përdorë, do ta përdorë për të mirën e vet, për të shkuar diku më shpejt, për të shkuar diku më sigurt, ndërsa dikush që mendon se makina është superiore, mbizotëruese, do të humbasë”, shton Petkovski.
Psikoterapisti Dukoski thotë se pavarësisht se sa shumë të përparojë teknologjia dhe sa shumë të përdoret inteligjenca artificiale në të ardhmen, njeriu do të ketë nevojë për njeriun.
“Njeriu gjithmonë do të kenë nevojë për njeriun, sepse ne identifikohemi me të ngjashmen dhe i tejkalojmë të ngjashmen. Inteligjenca artificiale do të jetë një maratonë të cilin ne nuk do të jemi në gjendje ta përfundojmë, sepse në shumë gjëra do të jetë një hap përpara nesh, ndërsa në shumë gjëra një hap pas nesh”, përfundon Dukoski.