Në Maqedoninë e Veriut gjatë fundjavës janë regjistruar 1 402 parregullsi në komunikacion, gjysma e tyre për shpejtësi
Në fundjavën e parë të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 1 402 parregullsi në komunikacion, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë fundjavës së kaluar (03/04.01.2026) si rezultat i kontrolleve të rregullta të trafikut të kryera nga policia nga të gjitha departamentet e punëve të brendshme në rrugët në të gjithë vendin, nga një total prej 1.402 urdhërpagesash të lëshuara, 723 shkelje kanë të bëjnë me shoferë që nuk e kanë respektuar kufirin e shpejtësisë së përcaktuar”, raportoi Policia.
Policia raportoi se në këtë periudhë janë arrestuar 13 persona për ngasje të veturës në mënyrë të parregullt, vepër e dënueshme në bazë të nenit 297-a nga Kodi Penal. Njëri prej tyre u arrestua për tejkalim të shpejtësisë, ndërsa tjerët për përdorim të alkoolit.
Këto dy ditë, u shqiptuan 165 dënime për parkim jo të mirë, 103 pa leje qarkullimi, 53 për alkool, 54 pa rrip të sigurisë dhe të tjerët për foliat, regjistrimin, kontrollin teknik dhe këmbësorë.
Ndryshe, në muajin dhjetor në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 19 750 parregullsi.
Kujtojmë se me vënien në funksion të Qytetit të Sigurt, për 24 orë u regjistruan 110.000 shkelje.