Në Maqedoninë e Veriut edhe një javë do të ketë akcizë të ulët për naftën
Drejtoria për të Ardhura Publike në Maqedoninë e Veriut ka sqaruar që deri më 20 prill nuk do të ketë akcizë për naftën, transmeton Portalb.mk.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur më 5 prill 2026, miratoi një Vendim për ndryshimin e Vendimit për përcaktimin e llojit të mallrave dhe periudhës kohore për zbatimin e një shkalle preferenciale tatimore. Sipas Vendimit, zbatimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së për produktet energjetike (karburantet) prej 10% vazhdon të jetë i vlefshëm deri më 20 prill 2026 (ora 24:00)”, sqaroi DAP.
Shkalla e TVSH-së për naftën në Maqedoninë e Veriut pas 20 prillit pritet të kthehet në 18 përqind. DAP-i deri më 20 prill ka paralajmëruar kontrolle të shtuara në subjektet juridike për të kontrolluar nëse po zbatohet kjo masë.
Kriza aktuale e çmimeve të karburanteve lidhet me zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ku përshkallëzimi i konfliktit ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë. Ky tension ka shkaktuar pasiguri në furnizimin me naftë dhe rritje të çmimeve në bursat ndërkombëtare, duke reflektuar më pas edhe në vendet e rajonit. Si pasojë, shumë shtete janë përballur me rritje të kostove të importit të karburanteve, çka ka detyruar qeveritë të ndërhyjnë me masa fiskale dhe rregullatore për të zbutur ndikimin tek qytetarët.