Çfarë pritet nga Specialja për ish-krerët e UÇK-së deri më 19 maj?

Kanë kaluar tashmë mbi 50 ditë që nga përfundimi i procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret brenda afateve të përcaktuara ligjore, raporton ATV.

Sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për të shpallur verdiktin, me mundësinë e një shtyrjeje shtesë deri në 60 ditë vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Duke qenë se nga 19 shkurti, kur përfundoi gjykimi, deri më 9 prill kanë kaluar saktësisht 50 ditë, gjyqtarëve u kanë mbetur edhe 40 ditë për të marrë vendimin.

Në mungesë të ndonjë njoftimi për kërkesë për shtyrje, afati përfundimtar mbetet 19 maji, datë që shihet si moment kyç për epilogun e një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore për Kosovën.

Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale për rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Artan Qerkini, për FrontOnline ka folur për afatin e 19 majit dhe pritshmëritë për vendimin final, duke theksuar se nga një këndvështrim strikt juridik, provat e paraqitura nga Prokuroria nuk e përmbushin standardin e kërkuar në drejtësinë penale ndërkombëtare.