E-Shkenca është i lidhur edhe me bazat globale të rezultateve kërkimore Web of Science, Scopus dhe Google Scholar, duke mundësuar paraqitjen e indikatorëve, rezultateve, numrit të citimeve dhe indeksit h.
Ministrja Vesna Janevska u bëri thirrje të gjithë hulumtuesve nga universitetet shtetërore dhe private dhe institucionet e arsimit të lartë, nga institucionet shkencore publike dhe private, institutet shkencore dhe MANU-ja, si dhe hulumtuesve të pavarur që punojnë në Maqedoni, por edhe hulumtuesve me origjinë maqedonase që punojnë në universitete të huaja, të plotësojnë aplikacionin dhe të regjistrohen në regjistrin elektronik e-Shkencë.
Deri më tani, në sistem janë regjistruar 229 hulumtues. Për secilin prej tyre paraqiten të dhënat për arsimin formal, punësimin, titullin shkencor, institucionin ose fakultetin ku punon, fushën shkencore në të cilën hulumton, përkatësisht identifikimin shkencor-kërkimor, si dhe indikatorët dhe rezultatet e përfaqësimit në tri bazat globale shkencore – Scopus, Web of Science dhe Google Scholar.
Përmes e-Shkencës, hulumtuesit kanë mundësi të lidhen më lehtë me industrinë. Përmes kërkimeve të avancuara, bizneset tani mund të identifikojnë se cili shkencëtar ose hulumtues merret me fushën që u intereson.
“Edhe sektori publik, të gjitha institucionet, agjencitë dhe fondet, marrin një pasqyrë transparente të kapacitetit tonë kombëtar kërkimor, mundësi për kontakte dhe për marrjen e vendimeve të bazuara në dëshmi shkencore”, tha Janevska.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës informojnë se buxheti për veprimtarinë shkencore-kërkimore rritet nga viti në vit. Në vitin 2024 ishin parashikuar 380 milionë denarë, ndërsa në vitin pasues, 2025, për shkencën u ndanë 680 milionë denarë. Buxheti i këtij viti për shkencën është 773 milionë denarë.