Mickoski: Maqedonia e mbështet fuqishëm Trumpin, presim marrëveshje dhe investime të reja

“Kur Amerikës i nevojiteshin aleatë, vendi im nuk u fsheh në turmë. Shumë shpejt, qartë dhe në mënyrë të qëndrueshme qëndruam në anën e SHBA-së, edhe kur kjo mund të kishte një kosto politike.” Këtë e deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për “Breitbart News”, duke folur për mbështetjen e tij, por edhe të vendit, ndaj administratës së presidentit amerikan Donald Trump, transmeton Portalb.mk.

“Kur presidenti Trump kishte nevojë për mbështetjen tonë në deklaratat dhe votimet në Kombet e Bashkuara, të cilat bazohen në interesat e administratës së presidentit Trump, ne e dhamë mbështetjen tonë të pakushtëzuar, pa asnjë rezervë, ndryshe nga disa palë të tjera të interesuara”, tha Mickoski, duke shtuar se mbështetja e vendit do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Mbështetja për Trumpin në Maqedoni, sipas Mickoskit, është shumë e lartë — më e lartë se kudo tjetër në Evropë. Nëse agjenda e presidentit amerikan e lejon, kryeministri thotë se do të kishte kënaqësi ta priste Trumpin në vend.

“Do të kem kënaqësi ta pres në nivelin më të lartë. Kur të ketë një hapësirë të lirë në agjendën e tij, do të jemi shumë të kënaqur ta presim, nëse vendos ta vizitojë rajonin. Siç thashë, ndryshe nga shumë aleatë të tjerë në Evropë, ne jemi një vend që pa asnjë dyshim e mbështet administratën e presidentit Trump. Madje edhe shumë më herët, para se ai të bëhej zyrtarisht president, kur nuk kishte shumë vende në Evropë që besonin se ai do ta mposhtte Kamala Harrisin në garën presidenciale”, tha Mickoski.

Në këtë drejtim, ai përmendi edhe bashkëpunimin me përfaqësuesin amerikan Richard Grenell dhe ambasadoren amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, veçanërisht në fushën e energjisë dhe mundësitë për eksportin amerikan të gazit natyror të lëngshëm në rajon. Ai përmendi gjithashtu takimet me sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, Devin Nunes, ish-anëtar i Kongresit, si dhe me pronarin e “Rumble”, Chris Pavlovski, i cili është me origjinë maqedonase.

Mickoski shpreson për një bashkëpunim edhe më të madh mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonisë në muajt e ardhshëm dhe pret që dialogu strategjik me Uashingtonin të shndërrohet në rezultate konkrete në fushën e sigurisë, energjisë, infrastrukturës, tregtisë dhe investimeve.

“International Development Finance Corporation” e SHBA-së po financon një projekt shumë të rëndësishëm për një minierë. Me sa duket, kemi një nga rezervat më të mëdha të antimonit. Ka një investim të madh australian dhe kanadez në vend, ndërsa SHBA-ja po e mbështet financiarisht këtë investim. Pra, praktikisht, do të nxjerrim antimon në vendin tim dhe do ta dërgojmë këtë mineral kritik në SHBA. Më vonë, SHBA-ja do ta përdorë këtë mineral kritik për prodhimin e pajisjeve ushtarake. Pra, praktikisht, kemi krijuar lidhje shumë të forta përmes dialogut strategjik”, tha Mickoski në intervistën për “Breitbart News”.

Kryeministri thotë se Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja kanë arritur një kompromis në parim për një marrëveshje dypalëshe tregtare me zero tarifa doganore për produktet e të dyja vendeve. Ai pret që marrëveshja të nënshkruhet zyrtarisht gjatë vizitës së tij në SHBA, me shumë gjasë në kohën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Sipas Mickoskit, nënshkrimi i marrëveshjes, përveç përfitimeve ekonomike, do ta forcojë edhe bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve. Ai beson se marrëveshja mund ta lehtësojë eksportin amerikan dhe të tërheqë më shumë investitorë amerikanë, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe më gjerë në rajon.

Mickoski shpreson që gjatë vizitës së tij në SHBA të mund të nënshkruhen edhe disa marrëveshje të tjera, ndërsa shprehu shpresën se gjatë qëndrimit në SHBA do të ketë një takim me presidentin Donald Trump.