Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u nda çmimi shtetëror 23 Tetori

Më pak se një vit pas transplantit të parë të mëlçisë, ekipi i mjekëve dhe profesorëve Maja Mojsova Mijovska, Tatjana Spirovska, Beti Todorovska, Zoran Karaxhov dhe Svetozar Antoviq, morën çmimin shtetëror “23 Tetori” për arritje në fushën e shkencës dhe arsimit. Edhe në fushën e arsimit, çmim mori edhe profesori Afrim Osmani, transmeton Portalb.mk.

Koordinatorja nacionale Mijovska falenderoi të gjithë ekipin që pa u lodhur punoi për transplantet dhe respekt të madh për familjet që dhuruan organe nga të ndjerit të tyre dhe ia zgjatën jetën një personi tjetër.

Kirurgët fitues të çmimeve, profesorët Karaxhov dhe Anotviq, munguan. Në emër të profesor Antoviq, i cili merr pjesë në Kolegjin Amerikan të Kirurgjisë, ku është anëtar i ri dhe i vetmi përfaqësues nga Maqedonia, çmimin ee mori motra.

Për arritje në fushën e kulturës dhe artit, çmim mori artisti pamor, prof. Robert Jankuloski, dhe shkrimtari Blazhe Minevski. Kryetarja e bordit për ndarjen e çmimit shtetëror, Mimi Gjorgorska Ilievska, tha se kjo festë i bashkon brezat që luftuan për lirinë tonë, dhe është nder i madh që të vlerësohen të arriturat e gjeneratave të sotme. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Kuvend, nuk mori pjesë asnjë anëtar i kryesisë shtetërore.