Në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit, Kuvendi i Shqipërisë hapi ekspozitën për gratë shqiptare dhe rolin e tyre në histori
Në kuadrin e 80-vjetorit të çlirimit, ditë më parë, Drejtoria e Përgjitshme e Arkivave të Shqipërisë i është bashkuar aktivitetit të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë me temën okeljon “Gratë e Luftës, roli i tyre në kontekstin historik”, duke prezantuar një ekspozitë fotografike, që ilustron pjesëmarrjen e të rejave në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, bëjnë të ditur nga DPA, transmeton Portalb.mk.
Pjesë të këtij aktivitet ishin kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, deputetë, historianja dhe akademikja Valentina Duka, familjarë të dëshmorëve dhe studentë të shumtë.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido në fjalën e tij përshëndetëse tha se nevoja e evidentimit të rolit dhe të kontributit të figurave femërore në emancipimin tërësor të vendit.
“Është kënaqësi që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave gjendet në aktivitetet e të gjitha festave të nëntorit të shqiptarisë. Në fakt, një prej nënshtresave të të gjitha këtyre aktiviteteve është gruaja. Lëvizja jonë Kombëtare është habitshëm e lidhur me zhvillimin e pozitës së gruas. Krahas rilindësve Jeronim de Rada dhe Naum Veqilharxhi, hasim edhe princeshën Elena Gjika, alias Dora D’Istrian. Në Kongresin e Manastirit, të 116-vjetëve më parë, dëshmuam se mes aradhës së burrave, përkundër mungesës së precedentëve në mbarë Europën, morën pjesë zonjat Filomena Bonati dhe Parashqevi Qiriazi, një ndër 30 botueset e kohës dhe diplomatja që asistoi dhe na komunikoi me shkrim punimet e Konferencës së Paqes së Parisit.
Në Kuvendin e Vlorës, një rol të veçantë luajti Marigo Pozio, gjithashtu botuese dhe drejtuese e shoqatave politike, që megjithatë njihet veçse si qendistarja e flamurit. Gjatë viteve të mesluftës, intensifikohet veprimtaria e grave në jetën publike, pa qenë nevoja për të bërë dallimin gjinor dhe për të shfrytëzuar retorikën e viktimizimit. Ishte pikërisht ky terren që shpuri në pjesëmarrjen e grave gjatë Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh kreu i DPA-së.
Para hapjes së ekspozitës drejtori arkivave e mbylli fjalën e tij duke cituar një prej grave intelektuale të viteve”30” Ikbale Çikën e cila ka thënë se “lumturia e shtëpisë, e kombit dhe e atdheut është në duart e grave intelektuale.”
Bido në fjalën e tij gjithashtu përmendi dhe aktivitetin e grave të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, të cilat nuk ishin siç u shpreh ai “gruaja e filanit” dhe nuk kishin nevojë të burrëzoheshin për të zhvilluar aktivitetin e tyre, madje nuk kishin as nevojën e viktimizimit apo nevojën e dallimit gjinor.
Ai theksoi faktin se emancipimi e roli i gruas, fatkeqësisht njihet nga studiuesit dhe jo nga publiku i gjerë, për shkak se nuk është divulguar aq sa duhet.
Nga DPA bëjnë të ditur se në këtë përvjetor me rëndësi historike, evokimi i kujtesës kolektive ka qenë në fokus të veprimtarisë së DPA-së, e cila është angazhuar në këtë drejtim nëpërmjet shfaqjes së filmave të kinematografisë shqiptare që trajtojnë tematikën e betejës për çlirimin e vendit, prezantimit të ekpozitave dhe publikimit të botimeve të dedikura.