Në Kosovë arritën votat e diasporës
Në Kosovë kanë arritur zarfet me votat nga diaspora. Nga mbi 18 mijë pako të verifikuara deri tani, më shumë se 15 mijë janë aprovuar, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Në komunat, kryesisht ato më të mëdha, procesi i numërimit po ecën ngadalë për shkak të problemeve teknike, raporton Koha.net.
Më shumë se gjysma e votave nga diaspora janë verifikuar dhe shumica e zarfeve janë aprovuar pas tërheqjes së pakove me 33 mijë fletëvotime, ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Deri të mërkurën në orën 16:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë pranuar, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 18,000, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 15,600, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,400. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 2,358 pako, është sepse mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, ka thënë Elezi.
Elezi ka njoftuar se në nëntë Qendra Komunale të Numërimit është përmbyllur procesi i numërimit, kryesisht në komunat e vogla, ndërsa në disa qendra më të mëdha, procesi ka shkuar ngadalë.
Në Prishtinë, deri në orën 17:30, sipas të dhënave në platformën e KQZ-së, janë numëruar vetëm 15% e votave për Kuvend Komunal. Në Prizren procesi i verifikimit e numërimit ka shkuar në 9%, në Malishevë vetëm 1%, e në Podujevë 16.81%.
Islam Demolli, menaxher i Qendrës Komunale të Numërimit në Podujevë ka thënë se dinamikën e punës e kanë penguar problemet me lidhjen e internetit.
“Ditën e parë kemi pasur disa probleme me rrjetin e internetit, për shkak të këtyre problemeve nuk kemi pasë mundësi që të fillojmë drejtpërdrejt me numërim. Ditën tjetër, pra të martën, kemi filluar normalisht dhe siç po e shihni të gjitha ekipet janë duke punuar me kapacitet të plotë”, ka thënë Demolli.
Pas përfundimit të verifikimit e numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit, do të fillojë procesi i njëjtë për votat nga diaspora, ato me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara.