Në cilat produkte u shënua rritje dhe ulje më e madhe e çmimeve në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2023 është regjistruar rritje e shpenzimeve për jetesë për 9.4 përqind, ndërkohë në disa produkte është shënuar rritje më e madhe, transmeton Portalb.mk.

“Indeksi i shpenzimeve për jetesë gjatë vitit 2023, krahasuar me vitin 2022 shënon rritje prej 9.4%, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë është 7.0%”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Te shpenzimet e jetesës, në këtë periudhë rritje më e madhe është regjistruar te gazetat dhe revistat periodike (30.4 %),  marrëveshjet turistike (29%), shërbimet e mirëmbajtjes dhe riparimit të banesave (15.7 %), perime (12.6 %), kafshët shtëpiake (12.4 %), duhani (12.2 %), etj.

Ndërkohë ulje më e theksuar është regjistruar te vajrat dhe yndyrat (21.7 %), disqe, kaseta e CD (10.3 %), karburant të lëngshëm (7.2 %), gazi (6.6 %) etj.

“Lëvizja e indeksit të çmimeve me pakicë gjatë vitit 2023, gjithashtu, ka qenë e ndryshme te grupet e veçanta të prodhimeve. Rritje të indeksit është vërejtur te të gjitha grupet: Prodhimet ushqimore industriale për 12.5%, Pije për 9.7%, Prodhime bujqësore për 8.5%, Shërbime për 6.0% dhe Prodhime industriale-joushqimore dhe duhan për 5.3%”, njoftoi Enti.

Enti raportoi që në muajin nëntor është llogaritur rritje e çmimeve të prodhimeve industriale për 2.9 përqind krahasuar me nëntorin e kaluar. Rritje më e madhe pati te prodhimi i duhanit për 25.5 %, ndërsa ulje te nxjerrja e qymyrit dhe linjitit për 14.8 përqind.