Ndërroi jetë Ljupco Grnçishtanov, një nga të akuzuarit në lidhje me zjarrin në Koçan

Ka ndërruar jetë Ljupço Grnçishtanov, një inspektor i vjetër në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili ishte ndër të pandehurit në rastin kryesor të zjarrit në kabarenë e ashtuquajtur “Puls”, në të cilin vdiqën 63 persona dhe u plagosën më shumë se 200, transmeton Portalb.mk.

Informacioni u konfirmua nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila tha se ishte njoftuar për rastin dhe se i pandehuri vdiq pasi u sëmur në shtëpi. Ata shtuan se Prokuroria Publike do të lëshojë urdhër për autopsi, e cila duhet të përcaktojë shkaqet e vdekjes.

“Prokuroria Publike është njoftuar. I pandehuri vdiq pasi u sëmur në shtëpi. Prokuroria Publike në Shkup do të lëshojë urdhër për autopsi”, informoi Prokuroria Publike për mediat në përgjigje të pyetjeve.

Familja e tij konfirmoi për televizionin Telma se ai u sëmur mbrëmë dhe u transferua në Qendrën Klinike, ku iu dha një infuzion, por nuk u mbajt për trajtim. Sipas informacionit nga familja për televizionin, ai vdiq këtë mëngjes.

Grnçishtanov, ashtu si 34 të pandehurit e tjerë në rastin e madh të zjarrit në “Puls”, gjykohej për veprën e krimeve të rënda kundër sigurisë publike.

Grçishtanov ishte 54 vjeç dhe mbajti pozicionin e Inspektorit të Përgjithshëm, gjegjsisht, Shefit të Shërbimit të Inspektimit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, nga fillimi i janarit 2013 deri më 16 mars 2025, kur ndodhi tragjedia në objektin në Koçan.

Sipas aktakuzës, ai akuzohet për “moskoordinim dhe mosorganizim të punës së shërbimit të inspektimit”.

Në seancën dëgjimore më 2 dhjetor të vitit të kaluar, ashtu si të pandehurit e tjerë, Grnçishtanov u deklarua i pafajshëm për krimin për të cilin akuzohet.

Sipas informacioneve, ai ishte në paraburgim për njëfarë kohe pasi filloi hetimi, i cili më vonë u zëvendësua me arrest shtëpiak.

Zjarri në “Puls” shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNK dhe konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. Me seancën e sotme vazhdon procedura e provave me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, e cila përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Ndër ta janë pronari i “Puls”, persona të afërt të tij, inspektorë të institucioneve shtetërore, ish-ministra dhe pjesëtarë të agjencisë që siguronte kabarenë dhe pronari i saj.

Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan se nuk ndihen fajtorë dhe kundërshtuan tezën se ekziston lidhje shkak-pasojë midis veprimeve të tyre dhe shkaktimit të zjarrit fatal.