Balerina Eda Kaliqi fitoi Çmimin e Parë në X Dance Festival në Shkup
Eda Kaliqi e ka fituar Vendin e Parë në X Dance Festival në Shkup, një nga festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare të vallëzimit në vend, shkruan Portalb.mk.
Ky sukses dëshmon talentin, disiplinën dhe përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm ndaj artit të baletit. Me paraqitjen e saj, Eda arriti të dallohet mes konkurrentëve dhe të sjellë një rezultat krenarie.
Duke folur për emocionet e fitores, Eda Kaliqi për Portalb.mk tha se momenti kur dëgjoi emrin e saj si fituese ishte i mbushur me emocione të papërshkrueshme.
“Në atë moment, kur dëgjova emrin tim, ndjeva një lumë emocionesh që nuk mund t’i përshkruaj me fjalë. M’u kujtua çdo orë e kaluar në sallë, çdo stërvitje, çdo lodhje, çdo sakrificë dhe çdo sfidë që kam kaluar për të arritur deri këtu. U ndjeva përsëri si Eda e vogël, me të njëjtin emocion dhe gëzim që më ka shoqëruar gjithmonë në rrugëtimin tim. Ky triumf nuk ishte vetëm një fitore, por shpërblimi i gjithë përkushtimit dhe dashurisë që kam për vallëzimin. Ishte një ndjenjë e paharrueshme, një emocion i veçantë që çdo artist e përjeton të paktën një herë në jetë dhe që do të mbetet përgjithmonë i gdhendur në zemrën time”, tha Kaliqi.
Sipas saj, suksesi është rezultat i kombinimit të talentit, punës dhe guximit, ndërsa mbështetja e familjes ka qenë një nga shtysat më të mëdha në rrugëtimin e saj.
“Mendoj se ishte kombinimi i të trijave. Talenti më ndihmoi të filloj, puna më bëri të përmirësohem, ndërsa guximi më dha besimin për të dalë në skenë dhe për të dhënë maksimumin tim. Jam shumë falënderuese për mbështetjen e familjes sime, sepse ajo ka luajtur një rol të madh në rrugëtimin tim. Ata kanë qenë gjithmonë pranë meje, më kanë besuar dhe më kanë motivuar të vazhdoj përpara. Ndoshta pikërisht mbështetja e tyre ka qenë motivimi më i madh që kam pasur për të ndjekur ëndrrën time dhe për të mos u dorëzuar kurrë”, u shpreh ajo.
Kaliqi theksoi se ky çmim është motivim i madh për të vazhduar përpara, për të mësuar dhe për t’u përmirësuar edhe më shumë.
“Ky çmim është një motivim shumë i madh për mua dhe më jep edhe më shumë forcë për të vazhduar përpara. Dua të vazhdoj të mësoj, të përmirësohem dhe të rritem çdo ditë. Ëndrra ime është të marr pjesë në gara edhe më të mëdha, të krijoj kujtime të bukura në skenë dhe të ndaj pasionin tim me sa më shumë njerëz. E di që rruga përpara kërkon shumë punë dhe përkushtim, por jam gati ta ndjek me zemër të plotë. Shpresoj që në të ardhmen të përfaqësoj me krenari veten, familjen time dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur në çdo hap të këtij rrugëtimi”, tha Eda Kaliqi.
Meritë për këtë sukses ka edhe profesoresha Ilinka Nakova, si dhe shkolla e baletit, për mbështetjen, udhëzimin dhe punën e vazhdueshme me balerinën e re.