Ndërroi jetë ish-senatori zviceran, Dick Marty

Ish-senatori zviceran, Dick Marty, ka vdekur në moshën 78-vjeçare, ka bërë të ditur partia e tij, Partia Demokracia e Lirë (FDP), transmeton REL.

Marty ka qenë autor i raportit për Këshillin e Evropës, në vitin 2010, në të cilin ai ka dënuar krimet e supozuara të UÇK-së, përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”.

Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

Kjo, në vitin 2015, ka çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale, ka nisur tashmë procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Ata ndodhen në paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020.

Më 21 korrik të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë ka votuar unanimisht, me 125 vota të deputetëve, rezolutën me të cilën ka hedhur poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga raporti i Këshillit të Evropës.

Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në tetor të vitit 2022, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkoi “rrëzimin e akuzave kundër Kosovës dhe pranimin e kërkesës së Shqipërisë për një raport vijues ndaj atij të Dick Martyt”.

Rama prezantoi para Këshillit të Evropës rezolutën e Shqipërisë, e cila thotë se pretendimet e ngritura nga Dick Marty për “vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikimit të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë”, janë pretendime që “kanë mbetur të paargumentuara, të paaprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte”. ​