NATO ra dakord për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në 5%, cak i vështirë për RMV-në

Udhëheqësit e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) janë pajtuar për një rritje masive të shpenzimeve për mbrojtje, pas presionit nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe u zotuan se do të ndihmojnë njëri-tjetrin, në rast se ndonjë nga shtetet anëtare sulmohet, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Në deklaratën përfundimtare, të përkrahur nga 32 udhëheqësit thuhet:

“Aleatët zotohen të investojnë 5 për qind të Bruto Prodhimi i Brendshëm në bazë vjetore për nevoja thelbësore të mbrojtjes dhe për shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035, për të garantuar përmbushjen e detyrimeve tona individuale dhe kolektive”.

Në deklaratën e NATO-s u tha se rritja e shpenzimeve për mbrojtje do të sigurojë që aleanca të ketë forca, aftësi, burime, infrastrukturë, përgatitje luftarake dhe qëndrueshmërinë e nevojshme “për penguar dhe mbrojtur në bazë të tri detyrave kryesore: parandalimin dhe mbrojtjen, parandalimin dhe menaxhimin e krizave dhe bashkëpunimin në siguri”.

Spanja veçse ka njoftuar se nuk mund ta përmbushë këtë synim, teksa edhe shtete të tjera kanë shprehur rezerva, por zotimi për investime përfshin rishqyrtimin e shpenzimeve më 2029, monitorimin e përparimit dhe rivlerësimin e kërcënimit të sigurisë që paraqet Rusia.

Para samitit në Hagë, presidenti amerikan Trump, vuri në pikëpyetje sërish përkushtimin e vendit të tij për t’i mbrojtur aleatët e vet në rast se ata sulmohen.

Ashtu siç bëri edhe gjatë mandatit të tij të parë, Trump la të kuptohej se mbështetja e tij do të varej nga ajo nëse aleatët e SHBA-së shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.

Por, shefi i NATO-s, Mark Rutte, pas samitit tha se politikanët në Evropë dhe Kanada “nuk duhet të brengosen lidhur me përkushtimin e SHBA-së ndaj nenit 5 të NATO-s, përkatësisht mbrojtjes kolektive.

Më 2026, samiti i NATO-s do të mbahet në Turqi dhe një vit më vonë në Shqipëri.

Kujtojmë se disa muaj m parë, ministri i Mbojtjes Vlado Misajllovski tha se ideja e SHBA-së që shtetet anëtare të NATO-s të ndajnë së paku 5 përqind të BPV-së së tyre kombëtare për mbrojtjen është një qëllim shumë i vështirë për t’u arritur për Maqedoninë e Veriut.

Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.