Liridona, Vanja dhe qindra të tjera, femicide të sistemit të kalbur ballkanas-patriarkal

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Liridona, Vanja, Marigona, Diana, Luljeta, Zejnepe…. janë vetëm disa nga emrat e qindra grave të vrara.

Vrasja e Liridonës në Kosovë dhe vrasja e Vanjës 14 vjeçare në Maqedoninë e Veriut, ishin dy rastet që së fundmi shokuan opinionin në gjithë Ballkanin.

Kjo për shkak të disa personave (lexo burrave) me mendësi kriminele, të cilët për të arritur qëllimet e tyre makabre dhe motivet skandaloze ishin në gjendje të marrin jetët e më të dashurave të tyre. Po a ishin me të vërtetë më të dashurat e tyre? Dashuria nuk vret, vret mendja kriminale dhe patriarkale.

Femicid!

Sipas dyshimeve në vrasjen e Liridonës ishte përfshirë bashkëshorti kurse në vrasjen e Vanjës babai. A mund të ketë diçka më jonjerëzore dhe më tragjike se kjo? Unë besoj se jo!

Megjithatë, ky është realiteti jonë në të cilin jetojmë. Kemi pasur raste të tilla në të kaluarën, që uroj mos të kemi në të ardhmen. Por, me këtë ritëm në të cilën po ecim si shoqëri, kam shumë pikëpyetje në kokë.

E mira e të keqes në këtë mes ishte aktivizimi i institucioneve për të zbardhur të dyja rastet. Por, a i kthen kjo në jetë ata? Jo! Institucionet duhet të jenë më efektiv në parandalimin e këtyre vrasjeve dhe personave me prapavija të dyshimta. Edhe ndoshta këtu mund të mos kishte qenë rasti, por praktika tregon se rastet e dhunës në familje nuk merren parasysh mjaftueshëm nga autoritetet kompetente, dhe më pas të njëjtat shpesh fundin e kanë fatal, vrasje.

Femicidet (vrasja e grave dhe vajzave) janë mjaft të përhapura në shoqërinë tonë, këtë e thonë statistikat dhe për to dëgjojmë thuaj se çdo ditë.

Pse ndodh kjo? Ka shumë arsye, por kryesorja mbetet sistemi patriarkal ku gratë dhe vajzat vazhdojnë të shihen si prona e objekte dhe trajtimi i keq që u është bërë atyre përgjatë historisë si qenie njerëzore, praktikë kjo që vazhdon sot edhe te shumëkush. Gratë dhe vajzat nuk janë pronë e askujt përpos se e vetes së tyre, andaj kjo duhet të ndryshohet.

Sa themi se po ndryshojmë për mirë, ndodhin rastet e tilla që përmbysin të gjithë atë pak progres që po bëjmë dhe na kthejnë në pikën zero, apo edhe në minus.

Duhen reforma thelbësore, që nga pika zero. Edukim, reflektim dhe vetëdijesim. Nuk duhet të jemi shembull i keq i botës edhe për këtë.

Por, me e vrasjet e këtilla, kemi dështuar si shoqëri. Pikë!

Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.