Mustafa dhe Osmani janë fituesit e çmimit shtetëror “22 Nëntori” në Maqedoninë e Veriut
Ministria për Kulturë dhe Turizëm në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar që Këshilli për dhënien e çmimit shtetëror “22 Nëntori” ka vendosur që ky çmimi t’i jepet Avzi Mustafës dhe Afrim Osmanit, transmeton Portalb.mk.
“Për arritjet në sferën e jetës politike, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me të cilat kontribuuan në promovimin e bashkëjetesës ndërpersonale dhe mirëkuptimit të ndërsjellë të pjesëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe religjioneve të ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, çmimi u jepet: Prof.Dr. Avzi Mustafa -pedagog dhe Prof.Dr. Afrim Osmani, profesor universitar”, sqaroi Këshilli.
Ky çmim pritet të dorëzohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut më 22 nëntor në ora 11:00.
Ndryshe, 22 nëntori në Maqedoninë e Veriut shënohet si ditë jopune për shqiptarët, për nder të Ditës së Alfabetit në gjuhën shqipe.
Pas Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Kosova pritet ta vendos 22 Nëntorin në listën e festave shtetërore. Ky paralajmërim erdhi gjatë vizitës së presidentit shqiptar, Bajram Begaj, më 12 qershor në Kosovë.