Mungesa sistemit për caktimin e ndërhyrjeve kirurgjikale “parajsë” për korrupsionin në RMV, termine ka vetëm nëse paguan privatisht

Sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian gama e shërbimeve shëndetësore në Maqedoninë e Veriut dhe disponueshmëria e tyre, sidomos e shërbimeve mjekësore të specializuara dhe shpërndarja e tyre gjeografike, është joadekuate, ndërsa këtë e vërtetojnë edhe reagimet e qytetarëve të Maqedonisë në anketën e Sdk.mk që e ka realizuar përmes mjetit për raportim anonim të problemeve të qytetarëve, transmeton Portalb.mk.

Në spitalet e shëndetësisë publike pritet me vite të tëra për ndërhyrje kirurgjikale, muaj të tërë për kontrolle shëndetësore, por nëse pacienti paguan privatisht për t’u operuar në spitalet shtetërore, menjëherë gjendet termin, thonë qytetarët. Por sipas kirurgëve me të cilët bisedoi Sdk, një nga problemet në shëndetësinë publike të Maqedonisë është se asnjë spital nuk ka shërbim për marrëdhënie dhe komunikim me pacientët që do t’i planifikonte ndërhyrjet kirurgjikale, kështu që pacientët komunikojnë drejtpërdrejt me mjekët, kirurgët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë.

“Kam katër vite që pres termin për operacionin e kataraktës, nuk ka termin. Kjo është e trishtueshme dhe për të ardhur keq në shekullin e 21-të”. “Motrës time në vitin 2023 iu caktua iu caktua termin për heqjen e tëmthit për vitin 2025. Kjo është sjumë e tepruar”. “Kemi dy vite e gjysmë që presim një operacion të kataraktës e pacienti ende nuk është operuar.” “Për një operacion banal 15-minutësh, nuk më thirrën kurrë në operacion”. “Kam pritur një vit për operacionin e tëmthit.” “Më 1 nëntor më caktuan termin për terapi fizikale për më 9 qershor të vitit 2025”.

Këto janë disa nga komentet e qytetarëve të dhëna në anketën e Sdk-së.

Sipas bashkëbiseduesve, mjekë të cilët nuk janë të autorizuar të japin deklarata zyrtare, në Maqedoni ka tre lloje të pacientëve: ata që mund të paguajnë privatisht, ata që nuk mund të paguajnë privatisht dhe nuk kanë as lidhje të forta dhe të tretët janë ata që kanë lidhje të forta.

“Ata që kanë lidhje të forta, familjare dhe politike, janë problem. Ato futen në listën e ndërhyrjeve të rregullta dhe lista automatikisht zhvendoset dhe zgjerohet. Çdo ditë pune fillon me një kolegium ku ne e shqyrtojmë listën e ndërhyrjeve kirurgjikale. Pastaj do të lajmërohet dikush, do kërkojë dikush nga partia, dikë e ka kontaktuar kryetari, e ka kërkuar një koleg, drejtori ka marrë obligim… dhe gjithçka çrregullohet”, thanë kirurgët nga një spital në Shkup.

Këto abuzime me ndërhyrjet selektive, pra ato që nuk janë urgjente dhe çështje jetësore dhe mund të presin për ca kohë, do të zgjidheshin nëse lista e pritjes do të vihej në dispozicion të pacientëve. Normalisht, me të dhëna personale të mbrojtura, por e bërë në atë mënyrë që vetë pacienti të hyjë me një kod personal dhe të kontrollojë se i sati është në radhë.

“Është e pavend që e gjithë ajo korrespondencë t’i lihet komunikimit mjek-pacient dhe ata të negociojnë personalisht. Kështu vetë sistemi i vendos në një situatë korruptive si pacientët, ashtu edhe punonjësit shëndetësorë”, thonë punonjësit shëndetësorë, njohës të kësaj çështjeje.

Spitali i Tetovës. Foto: Elida Zylbeari/Portalb.mk
Qytetarë dhe mjek në Spitalin e Tetovës. Foto: Elida Zylbeari/Portalb.mk

SAKAMDAKAZHAM.MK i dërgoi pyetje Ministrisë së Shëndetësisë për atë se deri ku është procesi me digjitalizimin e listave kirurgjikale, a planifikon Ministria të marrë masa dhe zgjidhje konkrete për tejkalimin e këtij problemi të digjitalizimit dhe krijimin e një sistemi, shërbimi për komunikim spitalor me pacientët, por deri në publikimin e tekstit, dy javë pas dërgimit të pyetjeve me email, përgjigje ende nuk ka.

Në vitin 2006, ministri i atëhershëm i shëndetësisë, Vllado Dimov, miratoi Rregulloren për veprimtarinë shtesë të punonjësve shëndetësorë, bazuar në nenin 115a, paragrafin 2 të Ligjit për Mbrojtjen Shëndetësore, i cili parasheh kriteret për përmbushjen e obligimeve të vendeve të punës së punonjësve shëndetësorë.

Në nenin 2 thuhet: “Punonjësit shëndetësorë – specialistë të punësuar në institucionet shëndetësore që ofrojnë kujdes shëndetësor specialisto-konsultativ dhe spitalor me mbi shtatë vjet përvojë pune në specializim (në tekstin e mëtejmë: punonjës shëndetësor) mund të ofrojnë shërbime shëndetësore si veprimtari shtesë në përputhje me licencën për punë në institucionin ku janë të punësuar ose në një institucion tjetër shëndetësor që është i regjistruar për të njëjtën veprimtari pasi të kenë përmbushur detyrimet e vendit të punës lidhur me veprimtarinë që kryejnë në institucionin shëndetësor në të cilin janë të punësuar”.

Në nenin 3 thuhet se “Kriter për përmbushjen e detyrimeve të vendit të punës është numri dhe vëllimi i shërbimeve shëndetësore të kryera në vendin e punës së punonjësit shëndetësor, dhe në përputhje me llojin dhe vëllimin e përcaktuar të shërbimeve shëndetësore në nivel të institucionit shëndetësor të përcaktuar në programin e punës, gjegjësisht në kontratën e lidhur ndërmjet institucionit shëndetësor dhe Fondit për sigurim shëndetësor të Maqedonisë.

Përmbushja e detyrave të vendit të punës sipas kritereve nga paragrafi 1 i këtij neni vlerësohet nga kolegjiumi profesional i entit shëndetësor”.

Qytetarët reagojnë gjithashtu se jo vetëm që nuk ka termine për ndërhyrje kirurgjikale, po nuk ka termine as për kontrolle si mamografia e gjirit, doppler, dexascan, petscan dhe as për kontrolle të rregullta pas ndonjë sëmundjeje.

Një qytetar thotë se ka bërë inçizim kompjuterik, por dy javë nuk ka kush ta lexojë, një tjetër thotë se për fizioterapi në Shkup duhet të presësh me muaj, ndërsa sëmundja nuk mund të presë.

“Prita 5 vjet që të më çrregullohej e gjithë statika e legenit dhe e shtyllës kurrizore. Fatmirësisht kalova mirë me operacionin e këmbës, por aq kohë do të duhet të pres edhe për tjetrën”, thotë një lexues. Një tjetër lexuese komenton: “Nuk mund të caktosh një termin për kontroll me ekografi, duhet të presësh të paktën 3 deri në 4 muaj. Mjekët amë thonë se nuk ka termin, nuk lënë termine, kështu që të dërgojnë në ndonjë poliklinikë, e prej andej deri në klinikë pas 3 muajsh dhe duke pritur kështu, nëse nuk kë para të shkosh privatisht, do të të mbulojë dheu i zi.”, thotë një paciente. Një lexues thotë se në institucionet shtetërore asesi nuk i kanë caktuar termin për operacionin e prostatës, por meqenëse ka qenë urgjente ka arritur të gjejë lidhje dhe e kanë operuar menjëherë. “Për prostatën ma kanë bërë të qartë mes rreshtave që nuk do të ketë termin derisa të paguaj. Më është dashur ta operoj njërin sy, edhe atë me lidhje. Kur u shfaq katarakti në syrin e dytë, nuk pata lidhje dhe prita 2 vjet e gjysmë për një termin”, shkruan një lexues. Një paciente thotë se pas heqjes së bajameve, ka pasur infeksione të përsëritura me streptokokë në gjak dhe i është dashur të merrte shpesh antibiotikë. “Më thanë se paska shumë pacientë, terminet përmes fondit janë të zëna, kanë termin vetëm për privatët. Ndërhyrja u krye jashtë orarit të punës, nga ora 14-15 gjatë ditës”.

Reparti internistrik në Spitalin e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Reparti internistrik në Spitalin e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Termine ka gjithmonë për çdo gjë, vetëm nëse ke më shumë euro për të dhënë”, “Termini im është një investim i dështuar vetëm për të mirën e mjekëve, jo për pacientët. Ministri, Dr. Arben Taravari duhet ta zgjidhë urgjentisht këtë gjë. Ky është shansi i tij i dytë dhe le të merret më pak me politikë”, thonë lexuesit.

Reagime ka edhe për qëndrimin e punonjësve në shëndetësinë publike. Arroganca e punonjësve të sporteleve, thotë një lexues, është në nivelin më të ulët poshtërues ndaj pacientit ndërsa një lexues tjetër komenton se mungon etika, morali, humanizmi dhe profesionalizmi.

Më 12 gusht ministri Taravari njoftoi se janë duke biseduar me përgjegjësit nga Drejtoria për Shëndetësi Elektronike “Termini im” dhe se po punohet për zgjerimin e “Termini im” dhe mundësisht për digjitalizim të ri.

“Maqedonia patjetër ka nevojë që të gjitha institucionet shëndetësore të jenë në të njëjtin sistem, edhe objektet publike edhe ato private, edhe farmacitë, Fondi i Shëndetësisë. Do të shohim, do ta shqyrtojmë”, tha Taravari.

Më 3 tetor, në promovimin e një pajisjeje të re të rezonancës magnetike, ministri tha: “Nuk do të doja të ekzagjeroja, por sipas gjitha gjasave Maqedonia është vendi në të cilin pritet më së paku për të bërë një rezonancë magnetike, me të cilën mund të mburremi si shtet”.

Ndryshe, Komisioni Evropian në raportin e fundit për progresin e Maqedonisë gjithashtu thekson se edhe pse mbrojtja shëndetësore primare sigurohet falas, financimi i saj është dukshëm nën mesataren e Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian rikujton se punonjësit shëndetësorë vazhdojnë të largohen nga shëndetësia publike drejt sektorit privat ose për të punuar jashtë vendit. Gjithashtu theksohet se pavarësisht ekzistencës së aplikacionit “e-shëndetësi”, udhëzimet ende jepen në letër.