MUNDËSITË

Edhe një vit po përfundon. Fundi i vitit është gjithnjë përplot me emocione të përziera, melankoli për kohën që kalon pa u ndalur dhe gjithnjë e më shpejtë, e njëherit edhe shpresë për një vit më të mirë, për mundësi të reja që na jepen çdo ditë. Thonë se njeriu e ka në dorë fatin e vet. Të paktën e ka në dorë mënyrën si do të përballet me jetën dhe me sfidat që ajo i sjelll. Ajo që vërtet varet nga ne është se si reagojmë ndaj të papriturave që na sjell jeta. Aty vërehet karakteri jonë.

Fundi i vitit është njëjherit edhe periudha kur mund të reflektojmë për vitin e kaluar, për të arriturat e të papriturat, për sukseset e për dështimet. Në Maqedoninë e Veriut edhe ky vit po përfundon me shumë sfida për drejtësinë dhe pa arritje të konsdirueshme. Kishim një vit me lëndë të vjetërsuara nëpër gjykata. Kishim mundësi të vendosim drejtësinë, dhe sërish nuk e vendosëm dot. Preferuam të zgjedhim rrugën më të lehtë, rrugën e pengesave formale të cilat mezi i prisnim për t’u liruar nga barra e vendosjes së drejtësisë. Sepse të vendosësh drejtësi dhe t’i bësh njërëzit të përgjigjen për veprimet e veta nuk është gjë e lehtë. Por të mos vendosësh drejtësi është edhe më keq, sepse padrejtësitë përsëriten dhe askush nuk bart përgjegjësi.

Viti që po lëmë pas ishte vit ku u shtuan emrat nga shteti ynë në listën e zezë të Departamentit të Shtetit Amerikan. E megjithatë, në vend nuk është se u nodhi diçka shumë e keqe të listuarve, shumica prej tyre vazhduan të jetojnë lirshëm dhe të kënaqen në frytet e veprimeve të tyre, përkundër parimit se nga një e padrejtë nuk mund të dalë diçka e drejtë.

Edhe Raporti i Komisionit Evropian theksoi atë që ne të gjithë e dimë, që kemi problem me sundimin e së drejtës, me zbatimin e ligjeve dhe vendosjen e përgjegjësisë penale. Por ne vazhdojmë më tej ta mbajmë kokën në rërë si strucat, gjersa të kalojë rreziku.

Viti 2023 ishte vit i mundësive të humbura. Ndryshimet kushtetuese nuk kaluan dhe ne mbetëm të ngujuar në vend, pa përparuar në rrugën e integrimit evropian, sërish për fajin tonë, pasi që nuk i zbatuam obligimet që i kemi ndërmarë. Mundësitë humben një pas një dhe koha kalon.

Koha është e pamëshirshme dhe shpesh i shkel ata që i humbin mundësitë. Është mirë të mos jemi mes të shkelurve nga koha. Të mos e gënjejmë veten, mënyra si reagojmë ndaj sfidave është tërësisht nën kontrollin tonë.