MSH: Të respektohen rekomandimet e ISHP-së kur ekziston rrezik eventual nga ndotja e ajrit dhe nga materie të dëmshme
Të kihet kujdes ndaj simptomave si kollë, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje koke ose irritim të syve, hundës dhe fytit dhe çdo person që vëren këto simptoma duhet të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore. Personat me sëmundje respiratore, fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe gratë shtatzëna këshillohen të shmangin çdo aktivitet në ambiente të hapura. Në rast nevoje të domosdoshme për lëvizje në ambiente të hapura, sidomos në zonat pranë vendeve të përfshira nga zjarri, të përdoren maska. Këto janë një pjesë e rekomandimeve nga Instituti për Shëndet Publik (ISHP) në drejtim të mbrojtjes së shëndetit dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve në raste kur ekziston rrezik eventual nga ndotja e ajrit dhe ekspozim ndaj materieve të dëmshme, njofton Portalb.mk.
Siç informoi Ministria e Shëndetësisë, në zonat ku ka rrezik nga ajri i ndotur, të qëndrohet brenda dhe të mbyllen dritaret dhe dyert, veçanërisht në afërsi të vendeve ku ka zjarre aktive, si dhe në rajonet ku era e shpërndan tymin. Të ndalen sistemet e ventilimit dhe klimatizimit që thithin ajër nga jashtë, për të parandaluar hyrjen e tymit dhe ndotësve në hapësirat e brendshme.
Rekomandohet të ndiqen rregullisht informacionet zyrtare dhe përditësimet për cilësinë e ajrit.
“Institucionet për kujdesin e të moshuarve të marrin masa për minimizimin e ekspozimit në ambient të hapur për këtë grup të ndjeshëm. Të shmanget kontakti ose afrimi pranë mbeturinave nga zonat e prekura derisa të jepet leje zyrtare për qasje. Të respektohen të gjitha udhëzimet nga institucionet e shëndetit publik dhe shërbimet e urgjencës, si dhe drejtimet për evakuim nëse kjo rekomandohet nga institucioni kompetent. Këto masa kanë për qëllim të parandalojnë rreziqet në shëndetin e njeriut dhe të sigurojnë mbrojtjen e qytetarëve”, thuhet në kumtesën nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga Ministria në një kumtesë tjetër më vonë informoi se në koordinim me Institutin e Shëndetit Publik, ka siguruar 2.000 maska mbrojtëse N95, të cilat pritet që sonte të shpërndahen për banorët e fshatit Trubarevë të Shkupit. Theksuan se maskat janë vënë në dispozicion nga Klinika Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, ndërsa shpërndarja do të realizohet me mbështetjen e ekipeve nga ndërmarrjet publike dhe Komuna e Gazi Babës.