MPJ u bëri thirrje pjesëtarëve të interesuar të diasporës që të përfshihen në projektin MKARTA

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut fton të gjithë të interesuarit, pjesëtarë të diasporës, të cilët janë të interesuar të jenë pjesë e projektit MKARTA, të dorëzojnë biografi të shkurtër dhe letër motivuese në e-mailin [email protected] me titull MKARTA, më së voni deri më 1.6.2023, transmeton Portalb.mk.

” Ju kujtojmë se të gjitha aplikacionet e dërguara pas afatit do të merren parasysh gjatë përzgjedhjes së ardhshme”, thonë nga MPJ.

Me këtë thirrje, Ministria e Punëve të Jashtme planifikon të zgjerojë listën e personave të dalluar nga diaspora, të cilët kanë dhënë “kontribut të veçantë në përmirësimin e marrëdhënieve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me diasporën apo shtetin në të cilin jetojnë, për përmirësimin e  reputacionit ndërkombëtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut ose janë ndërkombëtarisht të njohur dhe profesionistë të njohur në fushën e tyre”.

Kujtojmë se projekti MKARTA është konceptuar si një rrjet më i gjerë që do të përfshihej në rrjedhat shoqërore në vend dhe u prezantua në maj 2021.