Çekia është e gatshme të ndihmojë në tejkalimin e mosmarrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes, tha shefi i diplomacisë çeke

Çekia është e gatshme të ndihmojë në procesin e arritjes së një zgjidhjeje të pranueshme për Shkupin dhe Sofjen, deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Petr Macinka, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në vend. Gjatë konferencës së përbashkët për media me homologun e tij Timço Mucunski, në Ohër, ai theksoi marrëdhëniet e mira që Praga i ka me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes mund të jenë një nga temat e diskutimit edhe gjatë vizitës së kryeministrit çek Andrej Babish në Bullgari, e cila pritet të zhvillohet pas rreth tre javësh.

“Sigurisht që do të dëshiroj të bisedoj me të për këtë çështje. Qëllimi është që mosmarrëveshja të tejkalohet dhe të arrihet një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dyja palët. Ne do të donim të kontribuonim, sepse mendoj se vërtet ia vlen”, tha Macinka në konferencën e përbashkët për media me Mucunskin.

Shefi i diplomacisë çeke shtoi se Bashkimi Evropian ka një interes të fortë për zgjerimin dhe, rrjedhimisht, edhe interes për heqjen e pengesave të fundit për përparimin e Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, BE-ja duhet të dijë ta vlerësojë shkallën e përgatitjes së vendit për anëtarësim, por edhe lëshimet që janë bërë në të kaluarën.

“Çështja mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë tashmë nuk është më dypalëshe, por, bazuar në konkluzionet e Këshillit Evropian të vitit 2022, është bërë shumëpalëshe. Nuk është më çështje vetëm e dy vendeve, por çështje shumëpalëshe dhe çështje marrëveshjeje, ku duhet të arrihet konsensus. Çekia mban qëndrimin se nuk dëshiron ta ndryshojë sistemin në mënyrë që disa çështje të zgjidhen me shumicë të kualifikuar, dhe as nuk dëshiron të zvogëlohet numri i çështjeve për të cilat kërkohet unanimitet. Prandaj themi se konsensusi është i domosdoshëm”, deklaroi Macinka.

Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, tha se vendi është i gatshëm të diskutojë për gjetjen e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen me Bullgarinë, por çështjet që lidhen me gjuhën maqedonase, identitetin, historinë dhe kulturën nuk mund të jenë objekt negociatash dhe as kusht për përparimin drejt BE-së.

Ai tha se që nga formimi i qeverisë po zhvillohet dialog me përfaqësuesit e institucioneve evropiane dhe me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Bullgarinë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje.

“Nuk kërkojmë trajtim të privilegjuar, por një proces të drejtë dhe evropian. Jemi të gatshëm ta përfundojmë punën tonë, t’i zbatojmë reformat dhe t’i përmbushim standardet evropiane, por presim që përparimi të vlerësohet mbi bazën e rezultateve, meritave dhe kritereve evropiane të përcaktuara paraprakisht. Kur një shtet i përmbush detyrimet e tij, Bashkimi Evropian duhet të jetë i gatshëm ta njohë këtë dhe të reagojë në mënyrë përkatëse”, tha Mucunski.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme është i qëndrimit se nuk ka dilemë që duhet të gjendet një zgjidhje e përshtatshme, por ajo duhet të sigurojë një rrugë të parashikueshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm çek u prit edhe nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.

Gjatë një bisede miqësore, ata konstatuan se marrëdhëniet maqedono-çeke karakterizohen nga një miqësi tradicionale, e bazuar në respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Në veprën e iluministëve “Shën Kirili dhe Metodi” ata shohin një trashëgimi të përbashkët me fuqi të madhe bashkuese.

Tema kryesore e bisedës ishte rruga e gjatë e Maqedonisë dhe Ballkanit Perëndimor drejt Brukselit. Siljanovska-Davkova theksoi se statusi kandidat për anëtarësim në BE, i cili zgjat prej dy dekadash, nuk vjen si pasojë e mospërputhjes me të drejtën dhe praktikën evropiane, por për shkak të bllokadave nga disa vende fqinje, të cilat, sipas saj, kanë karakter irracional dhe lidhen me çështje të identitetit.

Ajo paralajmëroi se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm çështje politike dhe teknike, por edhe çështje e sigurisë evropiane.

Ministri Macinka vlerësoi se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian. Sipas tij, Republikës Çeke i nevojiten aleatë me të kaluar, mentalitet dhe kulturë të ngjashme.

Presidentja falënderoi për mbështetjen parimore dhe të vazhdueshme të Çekisë, të shprehur përmes iniciativës “Miqtë e Zgjerimit”, si dhe përmes angazhimit të Republikës Çeke në kuadër të Grupit të Vishegradit dhe formatit Sllavkov.

Të dy besojnë se bashkëpunimi i frytshëm në ekonomi, turizëm, shkencë dhe arsim do të vazhdojë, do të zgjerohet dhe do të forcohet.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.