MPJ bullgare thirri ambasadorin e Maqedonisë: “Politikanët japin deklarata të rreme për Bullgarinë”

MPJ bullgare ka njoftuar se ka thirrur ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe të plotfuqishëm të Maqedonisë në Sofje në lidhje me, siç thonë ata, komentet e fundit publike të politikanëve nga shteti fqinj dhe pretendimet e rreme të përhapura nga ana e tyre për Republikën e Bullgarisë, transmeton Portalb.mk.

Ministria thekson se kundërshtojnë kategorikisht përpjekjen për përfshirjen e Bullgarisë dhe marrëdhënieve bilaterale në debatin e brendshëm politik në Maqedoni, përfshirë edhe në kontekstin e fushatës zgjedhore aktuale.

“Bullgaria vazhdimisht mban një ton konstruktiv dhe përmbahet nga komentimi i provokimeve të vazhdueshme në hapësirën publike të Maqedonisë së Veriut. Atë e bën këtë me mirëkuptimin se është e nevojshme të sigurohet një mjedis konstruktiv për mbarëvajtjen normale të procesit zgjedhor në mënyrë që të mund të zbatohen reformat e nevojshme. Për fat të keq, është e qartë se këto përpjekje të Bullgarisë nuk janë kuptuar dhe vlerësuar nga faktorë të caktuar në Shkup, të cilët vazhdojnë ta përdorin vendin tonë si justifikim për mungesën e progresit para qytetarëve të tyre”, thonë nga MPJ bullgare.

Ata u bëjnë thirrje politikanëve maqedonas që të tregojnë pjekurinë e nevojshme politike, të japin kontribut konstruktiv në zbatimin e angazhimeve politike të marra në vitin 2022 dhe të respektojnë me përpikëri marrëveshjen e fqinjësisë së mirë të vitit 2017.

“Është e vetmja mundësi për të arritur progres real në procesin e integrimit evropian të vendit për të mirën e qytetarëve”, thotë MPJ bullgare.

Njoftimit i ka paraprirë fakti se VMRO-ja bullgare ka urdhëruar thirrjen e ambasadorit maqedonas për shkak të deklaratave të presidentit aktual Stevo Pendarovski për, siç thonë ata, “gjuhës së urrejtjes ndaj shtetit bullgar”.

Pendarovski në dy raste këto ditë, duke theksuar se VMRO-DPMNE po përhap gënjeshtra, tha se nëse arrijnë t’i bëjnë bullgarët të ndryshojnë Kushtetutën e tyre dhe nëse maqedonasit që janë atje në numër të madh arrijnë të njihen si pakicë kombëtare, ai do të jetë i pari që do t’i bashkohet VMRO-DPMNE-së. Siç tha ai, është një bisedë fëminore. Më tej, Pendarovski theksoi edhe situatën se marrëveshja me Bullgarinë nuk u kontestua për tre vjet dhe u bë problematike kur Sofja, nën gardën e vjetër nacionaliste komuniste, filloi të shpik arsye për bllokadë, të cilat nuk janë në vetë marrëveshjen.

Gazetari bullgar, Vlizar Ençev, në një status në Facebook ka akuzuar presidentin Stevo Pendarovski se i ka shpallur luftë Bullgarisë duke komentuar situatën me pakicën maqedonase në vend.

Kujtojmë se rruga eurointegruese e Maqedonisë së Veriut është e kushtëzuar nga Bullgaria me ndryshimet kushtetuese, të cilat nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.