MPB publikoi regjistrin e sulmeve ndaj gazetarëve në RMV ndër vite

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka publikuar një link në faqen e saj të internetit i cili të çon në një regjistër të sulmeve ndaj gazetarëve ndër vite, i cili rendit të drejtat e shkelura të gazetarëve dhe detaje rreth llojit të sulmit, vendndodhjes së incidentit, statusit të raportit dhe procedurës, transmeton Portalb.mk.

Publikimi i regjistrit të gazetarëve të sulmuar, siç thuhet nga MPB, është pjesë e angazhimit për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e gazetarëve dhe rrjedh nga bashkëpunimi i ngushtë i Ministrisë me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM). MPB thekson sigurinë e gazetarëve si një nga prioritetet e saj kryesore.

“Ndër të tjera, u caktua edhe një pikë kontakti, e cila kontribuoi shumë në zbardhjen më të shpejtë dhe më efikase të rasteve që lidhen me gazetarët”, thotë MPB.

Ata shtojnë se formimi i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Gazetarëve është në fazën e tij përfundimtare – një organ ndër-resor i institucioneve qeveritare dhe organizatave joqeveritare, detyra kryesore e të cilit do të jetë miratimi i një plani kombëtar veprimi për mbrojtjen e gazetarëve.

“Koordinimi midis policisë, prokurorisë dhe organizatave gazetareske është në një nivel të lartë dhe kjo kontribuon shumë në zgjidhjen e shpejtë dhe efikase të rasteve që përfshijnë gazetarë. Një bashkëpunim i tillë duhet të vazhdojë në periudhën në vijim me qëllim që të zgjidhet më me efikasitet çdo rast sulmi ndaj një punonjësi të medias”, thonë nga Ministria e Brendshme, duke shtuar se në të ardhmen e afërt bashkëpunimi ekzistues duhet të rritet dhe përmirësohet.

Lidhur me Manualin e Sigurisë së Gazetarëve, Ministria e Brendshme thotë se ai është përditësuar vitin e kaluar dhe se do të përditësohet në të ardhmen me qëllim përmirësimin dhe rritjen e mëtejshme të nivelit të sigurisë për gazetarët.

Nëse gazetarët përballen me kërcënime, sulme fizike ose verbale ose lloje të tjera presioni, Ministria apelon që rastet të raportohen menjëherë.

Kujtojmë se Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin e tij mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, ka vlerësuar se në vendet e Ballkanit Perëndimor janë të kufizuara liria e shprehjes dhe liria së medias. Në pjesën për Maqedoninë e Veriut, raporti citon organizata joqeveritare të cilat theksojnë se liritë e medias janë të rrezikuara nga paditë strategjike ndaj gazetarëve (SLAPP), presionet e zyrtarëve, autocensura dhe sulmet për shkak të hetimeve mbi korrupsionin, dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes.