MPB: Personi që valëviti flamurin e Shqipërisë së Madhe në Tetovë nuk është pjesëtar i policisë

Ministria e Punëve të Brendshme duke shpërndarë një fotografi të personit i cili valëviti flamurin e Shqipërisë së Madhe të premten e e kaluar në sheshin e Tetovës, njoftoi se i njëjti nuk është pjesëtar i MPB-së, pasi këto ditë në rrjetet sociale pretendohej se ai është pjesë e policisë, transmeton Portalb.mk.

“Kjo është edhe një mënyrë për të mohuar lajmin e rremë të publikuar se autori i këtij krimi është pjesëtar i MPB-së”, thonë nga MPB krahas fotos së publikuar.

Ministria u bëri thirrje qytetarëve që nëse e vërejnë personin, kanë ndonjë njohuri apo informacion të dobishëm për të që mund të ndihmojë në hetimin, të cilin Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë po e zhvillon në koordinim me prokurorin publik, që menjëherë të lajmërohen në stacionin më të afërt policor ose të lajmërojnë në numrat e telefonit 192 dhe 112.

Kujtojmë që  në fillim të javës, MPB-ja njoftoi se në kohën e vizitës zyrtare të delegacionit të shtetit të Kosovës, udhëhequr nga kryetari i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë organizimit më 11 gusht, në rrugën “Ferid Murati” në Shkup dhe në Sheshin e Qytetit në Tetovë, nuk është vepruar në bazë të Ligjit për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për këtë, MPB ka dorëzuar kërkesë për nisjen e procedurës kundërvajtëse ndaj dy subjekteve juridike, Komunës së Çairit dh Komunës së Tetovës, dhe kryetarëve të tyre, Bilall Kasamit dhe Visar Ganiut.

Kujtojmë se më 11 gusht kryeministri i Kosovës – Albin Kurti u prit në Komunën e Çairit dhe atë të Tetovës. Pas kësaj pati shumë reagime nga politikanët e vendit.

Kryeministri i vendit doli me qëndrimin kundër mënyrës së manifestimit në shesh të Tetovës, ku aty u pa të valëvitej një flamur me hartën e Shqipërisë së Madhe. Nga kabineti i Dimitar Kovaçevskit dënuan faktin se në ngjarje nuk është intonuar himni shtetëror i RMV-së dhe nuk është shfaqur flamuri shtetëror. Nga atje njoftuan se nuk janë dakord as me ndyshimin e emrit të rrugës në Çair nga “Brigada e Dytë e Maqedonisë” në “Adem Demaçi”.

Në reagimin e presidentit Stevo Pendarovski thuhej se oganizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të ndëshkohen me ligj për shkelje të dispozitave ligjore lidhur me përdorimin e flamurit dhe himnit të shtetit dhe flamujve dhe simboleve të bashkësive, me injorim të plotë të simboleve të shtetit. Mënyra e realizimit të idesë për riemërim të rrugës në Komunën e Çairit, thuhet në reagimin nga Pendarovski, është në kundërshtim me parimet e debatit demokratik dhe respektim të trashëgimisë historike të të gjithë bashkësive në shtet.

Reagoi edhe partia opozitare VMRO-DPMNE nga ku theksuan se institucionet nuk mund të arsyetohen me vizita private dhe se partia në pushtet – LSDM e gjunjëzoi sërish Maqedoninë e Veriut.

Nga ana tjetër, partitë opozitare shqiptare akuzuan palën maqedonase se me këtë qasje rikthejnë histerinë antishqiptare nga periudha e komunizmit.