MPB me detaje për eksplozivin në Çair: Shpërthyen bankomatin, por nuk arritën t’i marrin paratë

Katër persona kanë tentuar të grabisin me eksploziv një bankomat në Butel. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës tre. Ata aktivizuan mjetin shpërthyes, por nuk arritën të depërtojnë te bankomati. Shpërthimi ka qenë i fortë, gjë që ka shqetësuar banorët në ndërtesat përreth, transmeton Portalb.mk.

Katër personat që tentuan nuk arritën të hapnin bankomatin dhe nga shpërthimi u dëmtuan tre automjete të parkuara në afërsi. Nuk ka persona të lënduar.

“Në vijim është inspektimi nga ana e zyrtarëve policorë dhe po merren masa për zbardhjen e rastit”, kanë thënë për “Makfax” nga MPB.

Më shumë detaje priten gjatë ditës.

Rast i ngjashëm ndodhi edhe në dhjetor të vitit të kaluar  kur persona të armatosur me maska, sulmuan një person nga sigurimi i qendrës tregtare “Point Retail Park” dhe dogjën disa bankomate në Fushë Tophanë.

Në qendrën tregtare kishte bankomatë të disa bankave, të vendosura pranë njëri-tjetrit në parkingun përballë hyrjes së një prej dyqaneve më të mëdha, të cilat më pas u hoqën tërësisht.