MPB dhe Drejtoria e librave amë në RMV do të shkëmbejnë informacione në formë elektronike

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe drejtori i Drejtorisë për menaxhim me librat amë, Emir Sulejmani, nënshkruan Marrëveshje për bashkëpunim dhe shkëmbim të informatave në formë elektronike, transmeton Portalb.mk.

“Në këtë mënyrë po vendosim bashkëpunimin me shkëmbimin e të dhënave dhe dokumenteve në formë elektronike përmes Platformës Kombëtare për Ndërveprim, në përputhje me rregulloret në fushën e menaxhimit elektronik dhe shërbimeve elektronike. Sipas marrëveshjes do të zbatohen standardet më të larta për sjellje etike dhe ligjore dhe do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për zbulimin e shpejtë të korrupsionit dhe eliminimin apo zvogëlimin e pasojave të dëmshme të tij”, tha Spasovski.

Për nevojat e institucioneve, përmes platformës së Interoperabilitetit do të mundësohet bashkëpunimi ndërinstitucional dhe aksesi në shërbimin e regjistruar për “Përcaktimin e numrit amë”, shtoi ministri.

Spasovski theksoi se kjo marrëveshje paraqet progres dhe modernizim, dhe se bashkëpunimi dhe përdorimi i teknologjisë mund të krijojë lidhje të forta ndërmjet institucioneve të ndryshme në mënyrë që të ofrohet shërbim efikas dhe efektiv për qytetarët dhe të eliminohen keqpërdorimet.

Emir Sulejmani, drejtor i Drejtorisë për menaxhim me librat amë, tha se më në fund po realizohet angazhimi disa vjeçar për realizimin e këtij projekti, duke pasur parasysh se institucionet janë kontakti i parë me qytetarët. Njëkohësisht ai theksoi se zbatimi i marrëveshjes do të vazhdojë me udhëzime dhe afate përkatëse.