Mosmarrëveshje mes institucioneve të RMV-së, derisa BE-ja konfirmoi ngecjen e reformave në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit

Derisa Komisioni Evropian dërgoi kritika të ashpra për reformat në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, institucionet grinden mes vete. Shkak për këtë, së fundmi u bë raporti për punën e Prokurorive Publike në RMV për vitin 2022. Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga publikoi disa vërejtje për punën e Prokurorisë, pas çka edhe Prokuroria doli me reagim publik. Në ndërkohë, Ministria e Drejtësisë vazhdon mosmarrëveshjet me Këshillin Gjyqësor, shkruan Portalb.mk.

Të mërkurën, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria ishin në qendër të vëmendjes për shkak grindjes mes tyre për raportin për punën e Prokurorisë.

“Në Raportin për punën e prokurorive publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ka të dhëna për përdorimin e pajisjeve audio-vizuale të regjistrimit për veprimet hetimore, d.m.th. regjistrimin e marrjes në pyetje të të akuzuarit dhe dëshmitarëve, edhe pse Ligji i Procedurës Penale e rregullon këtë mundësi, me qëllim të mbrojtjes më të madhe të të drejtave të njeriut dhe sigurimit të një shkalle më të madhe të sigurisë juridike”, theksoi Lloga pas çka nga Ministria theksoi se kjo është ashtu pasi që incizimi i këtillë sipas nenit 207 të Ligjit për Procedurë Penale, incizim paraqet vetëm mundësi në disa situata të parashikuara me ligj, por nuk është edhe obligim i detyrueshëm.

Nga Prokuroria demantuan Llogën se nuk është e vërtetë që në raportin e punës së Prokurorisë për vitin 2022 nuk ka të dhëna për kohëzgjatjen dhe efikasitetin e procedurave hetuese.

Ministri Lloga, në reagimin e tij citoi raportin e progresit për vendin ku thuhet se qendrat hetimore në prokuroritë themelore publike duhet të forcohen për të arritur qëllimet e tyre për rritjen e efikasitetit të hetimeve dhe përmirësimi i koordinimit ndërmjet prokurorëve, policia dhe organet tjera relevante. Siç thekson Lloga, për më tepër, thuhet se nevojiten veprime shtesë për të siguruar një hetim të paanshëm, të shpejtë dhe efektiv (f.33).

Ndaj kësaj Prokuroria thonë se është e saktë, por “në asnjë fjali të raportit nuk kritikohet Prokuroria Themelore RMV-së për gjendjet e tilla”.

“Përkundrazi, raporti evropian shumë saktë kërkon që Prokurorisë Publike t’i mundësohen të gjitha materialet dhe kushtet kadrovike për punë dhe kryerje të papenguar të punës”.

Siç thekson Lloga, Raporti për punën e prokurorive publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk përmban të dhëna për procedurat e iniciuara disiplinore, as për masat e shqiptuara disiplinore. Kështu, sipas tij, edhe pse nga disa institucione ndërkombëtare është vërejtur se prokurorët publikë nuk i respektojnë afatet për procedurat hetimore, në praktikë nuk janë konstatuar shkelje disiplinore për të njëjtat.

Por, nga Prokuroria theksojnë që në raport nuk mund të ketë të dhëna për procedurat disiplinore kundër prokurorëve publik.

“Procedurën disiplinore e udhëheqë komisioni, i cili është tërësisht i pavarur në veprimin dhe aktivitetet e së cilës nuk mundet dhe nuk guxon të jenë pjesë e raportit për punën e prokurorive”, përgjigjen nga Prokuroria.

Gjykata, gjyqesor, gjykim, reforma
Gjyqësor, foto: Meta.mk

Derisa institucionet e vete mes vete grinden nëpërmjet kumtesave, në raportin e publikuar të Komisionit Evropian, Maqedonisë së Veriut iu tërhoq vërejtja se për reformat në kapitullin e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit duhet të aktivizohet alarmi pasi që u shpreh “shqetësim serioz”.

Kryetarja e Komisionit Shtetërore për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska në lidhje me atë se si e sheh raportin e fundit të Komisionit Evropian, të enjten tha se i vjen keq që kemi raport të tillë.

“Institucionet e vendit nuk respektohen mes veti, as rekomandimet e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit nuk merren parasysh”, tha Ivanovska, duke shtuar se të gjitha vërejtjet e raportit ata si Antikorrupsion i kanë theksuar.

“Më shqetëson ajo që institucionet vendore nuk respektohen mes vete. Konkretisht, ja, rekomandimet tona nuk respektohen. Rekomandimet nga Entit Shtetëror të Revizionit nuk respektohen. Unë nuk pres që ne të përparojmë derisa nuk respektohemi mes vete. As ligjet, as rekomandimet, as njerëzit mes vete, ashtu që, ajo që duhet të bëjmë së pari është të respektojmë”, shtoi Ivanovska.

Mosmarrëveshje tanimë një periudhë të gjatë ka edhe mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor, i cili tanimë një periudhë të gjatë është në qendër të kritikave për procedurat skandaloze dhe mosmarrëveshjeve që shpërthyen gjatë periudhës së kaluar.

“Të rishikohet kuadri legjislativ dhe funksionimi i përgjithshëm të Këshillit Gjyqësor për të rritur transparencën dhe pavarësinë e tij dhe për të rritur zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe prokurorinë”, thuhet në raportin e KE-së.

Në ndërkohë, gjatë ditës së enjte, u mbajt seanca e parë konstituive e grupit punues për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor. Lloga theksoi se nevojitet një reformë gjithëpërfshirëse e Këshillit Gjyqësor, e cila do të zbatohet gradualisht dhe jo të ofrohen zgjidhje të menjëhershme që nuk do të japin rezultate dhe do të bllokojnë institucionet gjyqësore.

Siç shkruajti Portalb.mk, ky grup do të kujdeset që Reformimi i Këshillit Gjyqësor, të bëhet në atë mënyrë që në fund, Këshilli të vetërregullohet nëpërmjet Shoqatës së Gjyqtarëve. Ndërkaq, do të vendoset dhe mekanizëm për kontrollin e tyre, pasi që anëtarët e Këshillit Gjyqësor, tani për tani nuk japin llogari para askujt.

Këshilli Gjyqësor në muajin maj ka qenë cak i kritikave negative nga ndërkombëtarët, pasi ish-kryetarja Vesna Dameva u shkarkua nga posti i saj më 26 prill. Në seancën e Këshillit Gjyqësor ka pasur debat kur Dameva ka refuzuar të vendosë një pikë votimi që nuk ishte në rend dite. Zëvendësi i saj Selim Ademi bëri thirrje për votim për shkarkimin e saj. Ai është mbështetur nga shtatë anëtarë dhe ka deklaruar se Dameva është shkarkuar dhe në prani të saj ka marrë drejtimin e seancës.

Pas skandalit ka ardhur një reagim nga ambasada amerikane. Nga aty theksuan se anëtarët e Këshillit kanë për detyrë ndërtimin e një sektori të pavarur gjyqësor. Pas dorëheqjeve të dy gjyqtarëve, Koalicioni “Të gjithë për një proces të drejtë” u bëri thirrje anëtarëve të tjerë që të dorëzojnë dorëheqjet. Gjykatësit kanë ardhur në pozitë tanimë tetë muaj, ndërkaq mandati i tyre është gjashtëvjeçar.