“Monstra” në Supreme, mbrojtja kërkon rigjykim, Ismailloviq: Nuk pres mëshirë, vetëm drejtësi

Në Gjykatën Supreme të Maqedonisë së Veriut u mbajt seanca publike për rastin “Monstra”, në të cilën mbrojtja kërkoi që të kthehet në rigjykim rasti për shkak të shkeljeve procedurale dhe mungesës së fakteve, njofton Portalb.mk.

Në fillim të seancës, Gjykata njoftoi se është refuzuar ankesa e avokatëve të të dënuarve, të cilët kanë kërkuar largimin  nga trupi i Këshillit Gjykues të anëtarëve Cvetanka Periq dhe Safet Kadrii pasi që ata kanë qenë në trupin gjykues për rastin e përleshjes me armë zjarri në një fermë në Belimbegovë gjatë vitit 2009, në të cilin është i dënuar Fejzi Aziri.

Avokatët e të dënuarve elaboruan siç thanë ata, shkeljet e dy gjykatave më të ulëta, gjegjësisht Penales dhe Apelit në lidhje me procedurën dhe faktet.

“Presim që edhe këtë radhë Gjykata Supreme ta riktheje këtë rast, pasi një pikë plus për mbrojtjen e kishim referimin e grupit të ekspertëve ku praktikisht ato konstatuan se ekspertizat janë falsifikuar. Ky grup konstaton se nuk ka pasur urdhër prej gjykatësit të hetimit për marrjen e provave, një punë e paparë deri tani edhe që këto prova të marra në dorë, pa urdhër të gjykatësit, ato nuk mund të jenë prova sipas ligjit për procedurë penale. Ky grup ekspertësh tregon faktikisht edhe momentet e montimit të rastit, pikë së pari te dheu ku sipas ekspertizës së dheut, ekspertja Snezhana Nikollovska dëshironte ta kyçe ADN-në e Alil Demirit se ka qenë në vendin e ngjarjes. Por edhe gëzhojat në Belimbegovë. Shpresoj që të rikthehet lënda dhe këto ekspertiza të shqyrtohen, por prej ekspertëve ndërkombëtar, pasi edhe vetë ekspertët konstatuan se ne nuk kemi mundësi të bëjmë posaçërisht ekspertizën e dheut”, tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Avokati Asmir Alispahiq tha se teoria e Prokurorisë nuk mund të mbijetojë me dy prova, të cilat janë dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur “E1” dhe deklarata e Haki Azirit gjatë hetimit.

“Nëse nuk e kemi dëshmitarin e mbrojtur dhe deklaratat e tij, shtrohet pyetja se si mundet të mbijetojë prapë një aktgjykim i tillë ku as gjykata e shkallës së parë e as të dytë ka vepruar sipas atyre udhëzimeve të qarta të Gjykatës Supreme. Në pikëpamjen e të ashtuquajturve dëshmitarë të rinj të cilët defiluan në procedurën e shkallës së parë, ata dëshmitarë vetëm plotësisht dëshmuan se kjo lëndë duhet të fitojë aktgjykim të vetme liruese, por fatkeqësisht as shkalla e parë e as e dytë nuk kishin guxim ta bëjnë. Ne presim që gjykata më e lartë nuk do të shkojë në kundërshtim me atë qëndrimin e marrë me aktgjykimin e potencuar nga ana jonë. Momenti i dytë për paligjshmërinë e atyre provave ju lus që ta hapni raportin që është bërë me kërkesë të ish Prokurorisë Speciale, të punuar nga MPB në lidhje me atë nëse ekzistojnë urdhra të vlefshme të lëshuara nga gjykatësi hetues. Atë e ka edhe në vendim të Supremes ku thuhet se provat e marra në mënyrë të paligjshme nuk mund të përdoren në procedurë”, tha Alispahiq.

I dënuari me burgim të përjetshëm para Agim Ismailloviq para gjykatës u shpreh se ndihet i pafajshëm dhe nuk kërkon mëshirë, por vetëm drejtësi.

“Ndihem i pafajshëm. Gjithmonë kam qenë i pranishëm dhe i jam përgjigjur gjykatës. Nuk e kam pritur se përsëri do të dënohem njësoj. Nuk pres mëshirë nga instanca më e lartë gjyqësore, por vetëm drejtësi”, tha Agim Ismailloviq.

Avokatët Raufi dhe Alispahiq, por edhe avokatet Biljana Krstevska dhe Milica Grozdanovska, para Gjykatës kontestuan faktet e prezantuara nga Prokuroria gjatë procedurave në shkallën e parë dhe të dytë dhe kërkuan që lëndë të kthehet sërish në gjykim.

Ata u ankuan se u është shkurtuar e drejta për seancë publike në Gjykatën e Apelit, ndërkaq prokurori Lubomir Joveski, më media i ka shpallur fajtorë të akuzuarit, para se të shpallet aktgjykimi.

Gjithashtu, sipas mbrojtjes, mënyra e ndryshimit të akuzës në fjalët përfundimtare është kotnestuese pasi që mbrojtjes nuk i është dhënë mundësia që të shprehet në lidhje me të njëjtën.

Mbrojtja konteston pretendimin për grup të përbashkët kriminal, ndërkaq dëshmitarin “E1” e quan të montuar dhe të rrejshëm. Ata kanë vërejtje për ekspertiza e dheut, por edhe të gëzhojave, ndërkaq siç theksuan, është skandaloze se si është humbur çelësi i veturës “Opel Omega”, të cilën, Prokuroria pretendon se e kanë përdorur të akuzuarit gjatë kryerjes së veprës.

Prokuroria nga ana tjetër, i hodhi poshtë pretendimet e mbrojtjes dhe tha se ka vepruar sipas udhëzimeve të Gjykatës Supreme. Sipas tyre, vrasja është kryer me qëllim që të shkaktohet ndjenjë pasigurie dhe frike te qytetarët.

Rikujtojmë që në vitin 2017-të, Gjykata Supreme e riktheu në shkallë të parë lëndën, pasi i pranoi ankesat e palës mbrojtëse.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë gjatë rigjykimit, i shqiptuar më 23 shkurt 2021, për rastin “Monstra”, gjegjësisht vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, ashtu siç propozoi Prokuroria u shpallën fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati në Kosovë) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për “ndihmë”. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave.

Më 6 shtator 2022, Gjykata e Apelit në Shkup u shpall vendimi për rastin “Monstra” dhe sipas të njëjtit, janë hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve dhe njëkohësisht është miratuar vendimi i shkallës së parë, gjegjësisht Gjykatës Penale të Shkupit.

Të dënuarit dhe familjarët e tyre e mohojnë përfshirjen e tyre në këtë ngjarje dhe akuzojnë funksionarë shtetërorë për inskenim.

Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës ku mbetën të vrarë Filip Sllavkovski (18), Aleksandar Nаqevski (18), Cvetanço Acеvski (18), Kire Tërpkovski (20) dhe Borçe Stevkovski (45) ka ndodhur më 12 prill 2012-të dhe është njëri prej rasteve më makabre dhe më të mistershme që kanë ndodhur ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

PËR MË SHUMË LIDHUR ME TEMËN LEXO: