Mjekët në Evropë të mbingarkuar me punë, shohin deri në 80 pacientë në ditë
Numri i mjekëve në Evropë ka rënë dukshëm, shumë mjekë të përgjithshëm po detyrohen të marrin gjithnjë e më shumë pacientë nga kolegë që kanë dalë në pension ose që e kanë lënë profesionin, shkruan Euronews, transmeton Portalb.mk.
Më shumë se një në çdo dhjetë banorë, si në Francë ashtu edhe në Portugali, nuk kanë një mjek të përgjithshëm, gjë që ngadalëson shpejtësinë e mjekimit dhe detyron pacientët të drejtohen te specialistë të tjerë.
“Në vitin 2022, kemi pasur një rritje të vogël të mortalitetit, që nuk pritej pas pandemisë. Disa njerëz do të thonë se kjo ishte për shkak të gripit, apo ngrohjes globale… Por kjo është diçka që nuk është matur si duhet, është shumë komplekse dhe ndoshta është për shkak se njerëzit mjekohen shumë vonë”, shpjegoi Dr. Jean Marcel Mourgues, zëvendëskryetari i Shoqatës Franceze të Mjekësisë.
E njëjta gjë vlen edhe në Spanjë. Për doktorin Gabriel del Pozo Sosa, Sekretarin e Përgjithshëm të Konfederatës së Sindikatave Mjekësore Spanjole, cilësia e kujdesit është përkeqësuar: “Nuk është sepse ne nuk duam të kujdesemi për pacientët tanë, është sepse mund të kalojmë mesatarisht vetëm tetë minuta me ta, meqë ne shohim deri në tetëdhjetë prej tyre në ditë. Në fund, ne edhe nuk flemë aq sa duhet për të punuar siç duhet”, tha ai, gjithashtu duke vënë në dukje një rritje të pushimeve mjekësore në mesin e mjekëve për shkak të punës së tepërt.
Pse është kaq e vështirë të rekrutohen mjekë të rinj?
Çdo shtet anëtar i BE-së ka kërkesat e veta specifike për trajnimin e mjekëve të ardhshëm, si dhe paga fikse. Megjithatë, mjekët e intervistuar nga Euronews lanë të gjithë të njëjtat vërejtje: brezat e ardhshëm janë demotivuar nga studimet e gjata për paga të ulëta.
“Kjo është pjesërisht për shkak të granteve të studentëve, të cilat praktikisht janë ngrirë që nga viti 1999,” ankohet Dr. Federico di Renzo, një anëtar i Unionit Autonom të Mjekëve Italianë.
Pastaj, në Portugali, mjekët e përgjithshëm patën grevë në fillim të shtatorit të këtij viti, duke vënë në dukje pagat e tyre veçanërisht të ulëta në krahasim me vendet e tjera të BE-së dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Një specialist që punon dyzet orë në javë fiton rreth 1800 euro neto në muaj. Është e pamundur të marrësh me qira një shtëpi me dy dhoma gjumi për më pak se 1200 euro…”, tha Dr Jorge Roque Cunha, nga Unioni i Pavarur i Mjekëve Portugez.
Megjithatë, duhen gati dhjetë vjet për të trajnuar një mjek të përgjithshëm dhe akoma më shumë për të trajnuar specialistë.
Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i publikuar më 14 shtator 2023, paralajmëroi se këto probleme të fuqisë punëtore në sektorin e kujdesit shëndetësor janë një bombë me sahat dhe mund të përkeqësohen nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme.