Ministria e Shëndetësisë në Gaza: Në Spitalin Indonezian ende ndodhen rreth 2.600 persona

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra, tha se të paktën 2.600 persona, përfshirë pacientë, civilë të zhvendosur dhe staf mjekësor, ndodhen ende brenda Spitalit Indonezian të rrethuar në Gaza, raporton Anadolu.

Në një deklaratë, Ashraf al-Qudra tha se “400 të plagosur dhe shoqëruesit e tyre janë ende në Spitalin Indonezian, si dhe 200 pjesëtarë të personelit mjekësor dhe rreth 2 mijë persona të zhvendosur”.

Al-Qudra tha gjithashtu se në Spitalin Al-Shifa ende ndodhen 259 persona të plagosur, disa civilë dhe personel mjekësor.

Zëdhënësi shtoi se nuk ka ende një datë të caktuar për evakuimin e personave nga Spitali Al-Shifa, i cili është nën kontrollin e plotë të Izraelit.

Al-Qudra konfirmoi se të gjitha spitalet në qytetin e Gazës dhe zonat veriore të Rripit të Gazës janë jashtë shërbimit nga sulmet e vazhdueshme izraelite kundër Gazës.

Ai shtoi se një delegacion nga Organizata Botërore e Shëndetësisë vizitoi Spitalin Al-Shifa ditët e fundit për të koordinuar evakuimin e atyre njerëzve që janë ende brenda spitalit.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, duke përfshirë spitalet, rezidencat dhe shtëpitë e adhurimit, që nga sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.

Të paktën 13.300 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 5.650 fëmijë dhe 3.550 gra.

Sipas shifrave zyrtare, numri i izraelitëve të vdekurve është gati 1.200.