Ministria e Financave tha se prej sot do të publikohen në mënyrë transparente pagesat nga Buxheti gjatë periudhës zgjedhore në RMV
Nga dita e sotme, Ministria e Financave, deklaroi se në përputhje me dispozitat e Kodit zgjedhor, do t’i publikojë pagesat buxhetore në faqen e saj të internetit në një bazë të posaçme për shpenzimet buxhetore gjatë periudhës zgjedhore, transmeton Portalb.mk.
“Sipas Kodit Zgjedhor, Ministria e Financave, që nga dita e miratimit të Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve deri në përfundimin e tyre, obligohet që t’i publikojë të dhënat për të gjitha pagesat buxhetore në një bazë të posaçme, përveç pagesave të rregullta për paga, pensione dhe shpenzime komunale.
Gjithashtu, Ministria e Financave obligohet të parashtrojë Raport financiar parazgjedhor dy javë pas shpalljes së zgjedhjeve, i cili do të përfshijë pasqyrë të përgjithshme të të gjitha të ardhurave dhe shpenzimeve të planifikuara dhe të realizuara nga Buxheti sipas zërave buxhetorë, në periudhën nga fillimi i vitit fiskal deri në ditën e parashtrimit të raportit, i cili publikohet në faqen e internetit të Ministrisë së Financave”, thuhet në njoftim.
Të dhënat do të publikohen në këtë link: https://finance.gov.mk/mk-MK/oblasti/budzetski-trosoci-vo-izboren-period.
Kujtojmë se kjo ishte edhe ndër kërkesat e Antikorrupsionit.
“Ministria e Financave është e detyruar të publikojë të gjitha pagesat buxhetore, përveç pagave të rregullta, pensioneve dhe shpenzimeve të shërbimeve, publikisht në një faqe interneti në një bazë të dhënash të posaçme për shpenzimet buxhetore gjatë periudhës zgjedhore dhe – Ministria e Financave duhet të paraqesë raport financiar parazgjedhor dy javë pas shpalljes së zgjedhjeve, i cili duhet të përfshijë një pasqyrë të përgjithshme të të gjitha të ardhurave dhe shpenzimeve të planifikuara dhe të realizuara nga Buxheti sipas zërave në periudhën nga fillimi i vitit fiskal deri në ditën e dorëzimit të raportit, i cili duhet të publikohet në faqen e internetit të Ministrisë së Financave”, thuhej në kërkesën e Antikorrupsionit.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.