Ministri izraelit propozoi hedhjen e një bombe atomike në Gaza: “Atje nuk ka njerëz të pafajshëm”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u distancua nga një prej ministrave të tij, i cili sugjeroi hedhjen e një bombe atomike në Gaza. Amihai Eliyahu, i cili është ministër i trashëgimisë në kabinetin e qeverisë ushtarake, tha se hedhja e një bombe atomike është një nga opsionet sepse nuk ka të pafajshëm në Gaza dhe se palestinezët mund të shkojnë nëse duan në Irlandë ose në shkretëtirë, transmeton Portalb.mk.

“Deklaratat e Eliyahut nuk kanë asnjë bazë në realitet. Izraeli dhe Forcat Mbrojtëse të Izraelit po veprojnë në përputhje me standardet më të larta të ligjit ndërkombëtar për të shmangur viktimat civile”, tha zyra e Netanyahut.

Ushtria izraelite tha se u kishte dhënë civilëve një afat të ri katërorësh për të kaluar nga Gaza veriore në jug të Gazës. Evakuimi do të bëhet përmes autostradës kryesore që kalon përmes Rripit të Gazës dhe korridori do të jetë i hapur deri në orën 14:00 sipas kohës lokale.

Mes 350,000 dhe 400,000 civilë besohet se mbeten në Gazën veriore, megjithëse Izraeli ka urdhëruar një evakuim të plotë të zonës për shkak të bombardimeve intensive. Edhe pse civilëve u është thënë të shkojnë në jug, Izraeli ka kryer sulme ajrore edhe atje.

Hamasi tha se Izraeli sulmoi një kamp refugjatësh në Gaza qendrore gjatë natës, duke vrarë të paktën 38 njerëz, ndërsa Shtetet e Bashkuara refuzuan thirrjet për një armëpushim, duke thënë se kjo do të përfitonte grupet militante palestineze. Sipas autoriteteve lokale, deri më tani në Gaza kanë vdekur 9,488 palestinezë.

“Izraeli po bombardon drejtpërdrejt shtëpitë e civilëve. Shumica e të vdekurve janë gra dhe fëmijë”, tha Hamasi për sulmin në kampin e refugjatëve Magazi.