Është rikthyer linja hekurudhore nga kufiri Maqedoni-Kosovë deri në Fushë Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje njoftoi se janë vënë në përdorim dy tunele të rinovuara në linjën hekurudhore nga kufiri Maqedoni-Kosovë deri në Fushë Kosovë. Kështu, pas një periudhe të gjatë, pra që nga shkatërrimi i urave në luftën e viteve 1998-99, transporti hekurudhor është sërish në përdorim në këtë pjesë të Kosovës, transmeton Portalb.mk.

Sipas Kurtit, kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme për infrastrukturën e Kosovës.

“Rehabilitimi i Linjës 10 të Hekurudhës parasheh 13 ura të reja dhe 7 tunele të rindërtuara. Sot përuruam dy tunele — njëri me gjatësi 262 metra dhe tjetri me gjatësi 122 metra — të cilët ishin të shembur tërësisht”, shkroi Kurti.

Siç shton kryeministri me linjën 10 edhe me hekurudhën Prishtinë-Durrës, po e bëjmë Kosova bëhet pjesë e rrjetit të transportit trans-evropian.

“Lidhjet infrastrukturore po i forcojmë, zgjerojmë dhe modernizojmë. Me forcim, rriten shkëmbimet. Me zgjerim, rritet ndërlidhja, ndërkaq me modernizim, rritet shpejtësia. Këtu treni dikur mund të zhvillonte shpejtësi jo më shumë sesa 60 kilometra në orë. Me hekurudhën e re ai do të mund të udhëtojë me shpejtësi mbi 100 kilometra në orë. Ashtu siç po e shpejtojmë trenin, urojmë e besojmë që ky projekt do të shpejtojë rritjen dhe zhvillimin e Republikës”, tha Kurti.