Ministri i Mbrojtjes ka shkelur ligjet, situata në ARM është përkeqësuar në mënyrë dramatike, akuzoi kryetari u SPUP-së
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Ushtarëve Profesionalë, Aleksandar Naskovski, ka bërë akuza serioze për veprime të paligjshme në Ministrinë e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, duke pretenduar se të drejtat e pjesëtarëve të Ushtrisë po shkelen sistematikisht. Sipas tij, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski ka kryer tre shkelje kryesore të ligjeve që prekin drejtpërdrejt ushtarët profesionistë, transmeton Portalb.mk.
Akuza e parë i referohet mosmiratimit të Planit për marrjen dhe vendosjen e ushtarëve profesionistë, i cili sipas Ligjit duhej të ishte miratuar brenda afatit ligjor. E dyta i referohet diskriminimit të tërthortë të vendosur, që lidhet me mostransformimin e kontratave nga të përcaktuara në të pacaktuara, ndërsa e treta është se mbi 2.000 ushtarë mbeten pa status pune të zgjidhur.
Sindikata paralajmëron se për këto, siç i quan, veprime të paligjshme, parashikohen gjoba deri në 19.000 euro, dhe nëse secili ushtar i prekur paraqet raport individual, shuma mund të arrijë deri në 2 milionë euro.
“Diskriminimi ka vazhduar për dekada dhe po shkatërron breza të tërë ushtarësh profesionistë”, thotë Aleksandar Naskovski, duke akuzuar se situata po fshihet pas një “fushate të rreme PR”.
Ministria përgjigjet: “Informacion i rremë dhe kallëzime penale”
Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut reagoi ndaj akuzave, duke i vlerësuar ato si të pabaza dhe të pasakta. Ata theksojnë se tashmë janë ngritur kallëzime penale kundër personit që bën këto pretendime.
“Besueshmëria e personit që bën të gjitha këto dëshmohet nga fakti se Ministria ka ngritur kallëzime penale për vepra të shumta penale”, thotë Ministria.
Lidhur me akuzat specifike, institucioni pretendon se Plani për marrjen dhe vendosjen e ushtarëve profesionistë për vitin 2026 është miratuar në kohë – më 26 nëntor 2025, dhe është i regjistruar me një numër arkivor përkatës.
Ministria shpjegon më tej se Ligji për Shërbimin në Ushtri është një ligj i veçantë (lex specialis), sipas të cilit ushtarët profesionistë lidhin kontrata me afat të caktuar, të cilat mund të zgjaten deri në moshën 45 vjeç, bazuar në kriteret dhe rezultatet e përmbushura.
Prandaj, ata theksojnë se çdo ushtar ka mundësinë një vit para përfundimit të shërbimit të tij të zgjedhë nëse do të marrë pagesë për ndërprerjen e shërbimit apo do të transformohet në një marrëdhënie pune të pacaktuar në institucionet shtetërore, pa njoftim publik.
“Ndërkohë, po ndërmerren aktivitete me përfaqësuesit e sindikatës për të zgjidhur statusin e ushtarëve profesionistë mbi moshën 45 vjeç”, shton Ministria.
Lidhur me akuzat për diskriminim, institucioni thotë se seminare tranzicioni po zhvillohen vazhdimisht për ushtarët profesionistë, në mënyrë që ata të informohen për të drejtat dhe mundësitë e tyre për një karrierë të ardhshme.
Sipas Ministrisë, vendimet për transformim merren në kohën e duhur dhe u dorëzohen ushtarëve para skadimit të kontratës së tyre, në përputhje me afatet e përcaktuara.
Konflikti midis sindikatës dhe institucionit ngre pyetje serioze në lidhje me situatën në Ushtri, dhe njoftimet për informacione shtesë dhe veprime të mundshme tregojnë se kjo temë do të vazhdojë të trazojë publikun në periudhën e ardhshme.
Ndryshe, më 2 prill, Ministria e Mbrojtjes publikoi thirrje publike për rekrutimin e 300 ushtarëve profesionistë në shërbim të Armatës së Maqedonisë së Veriut.