Midis seksizmit dhe injorancës politike në Maqedoninë e Veriut

Njoftimi i fundit për shtyp nga partia opozitare LSDM lidhur me kërkesën e presidentes Gordana Siljanovska për një avion të ri qeveritar ka nxjerrë në pah probleme të vazhdueshme në komunikimin politik në vend: nënkuptime seksiste në mesazhe dhe një rënie të vazhdueshme të cilësisë së diskursit partiak. Ndërsa deklarata në dukje trajton moshën dhe madhësinë e avionit, ajo gjithashtu e zhvendos fokusin te Siljanovska si person, në vend të implikimeve politike të funksionit të saj, duke ngritur pyetje për mënyrën se si trajtohen gratë në politikën maqedonase, shkruan Portalb.mk.

Autore: Despina Kovaçevska dhe Fjolla Zllatku

Foto: Faqja zyrtare e Gordana Siljanovska Davkovës në Facebook
Foto: Faqja zyrtare e Gordana Siljanovska Davkovës në Facebook

Në njoftimin origjinal për shtyp, komentet sarkastike që lidhin kërkesën për një avion të ri dhe më të madh me gjendjen fizike të kryetares,  përfshirë komentet lidhur ne “dhimbjet në gjunjë”, e riformulojnë një vendim profesional si çështje personale duke e ngarkuar me dimension gjinor. Politikanët meshkuj, si presidenti serb Vuçiç, i përmendur gjithashtu në njoftim, rrallëherë përballen me të njëjtin tallje për kërkesa të ngjashme, gjë që ilustron një standard të dyfishtë në kritikën politike. Duke vepruar kështu, diskursi e minon në mënyrë të tërthortë autoritetin profesional të grave në politikë, duke i reduktuar vendimet komplekse politike në tallje personale.

Në drejtim të komentimit të këtij fenomeni edhe më gjerësisht, Marta Stevkovska, gazetare, autore, feministe dhe aktiviste për barazi gjinore nga rrjeti Stella thotë se përdorimi i gjuhës jo të ndjeshme gjinore vetëm sa i zmadhon sulmet ndaj grave në politikë.

Marta Stevkovska, foto nga arkivi personal

“Kur bëhet fjalë për gratë në politikë, paragjykimet dhe stereotipet gjinore, përfshirë ato që lidhen me moshën, përdoren shpesh për t’i kritikuar ato, jo mbi bazën e funksioneve që ushtrojnë, por si mënyrë për të diskredituar autoritetin dhe kompetencën e tyre. Për më tepër, përdorimi i gjuhës jo të ndjeshme gjinore vetëm sa i zmadhon sulmet ndaj grave në politikë, duke i shënjestruar ato thjesht sepse janë gra. Partitë politike duhet të fokusohen në kritikë konstruktive të punës profesionale dhe vendimeve të grave në detyrë, në vend që të përforcojnë paragjykime të dëmshme gjinore.”, tha Stevkovska.

Analiza e Stevkovskës tregon për një problem sistemik: komunikimi politik në Maqedoni shumë shpesh e ngatërron gjininë me kompetencën, duke krijuar një kulturë ku gratë lidere duhet të justifikojnë jo vetëm vendimet e tyre, por edhe vetë praninë e tyre në politikë. Ky model jo vetëm që dekurajon pjesëmarrjen e grave, por edhe e zhvendos vëmendjen publike larg politikëbërjes, duke i reduktuar çështjet komplekse në domenin personal.

Foto: Selia e LSDM-së
Foto: Selia e LSDM-së

Problemi shtrihet përtej deklaratave individuale. Sipas një studimi të vitit 2024 nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), mbi 3,380 komente me gjuhë seksiste kundër grave në politikë u identifikuan në gjysmën e parë të vitit, veçanërisht në periudhën para zgjedhjeve. Këto sulme ushqehen nga stereotipe të rrënjosura thellë për gratë në udhëheqje dhe përkeqësohen nga mungesa e rregullimit të platformave të mediave sociale dhe nga dështimi i autoriteteve për t’i mbajtur përgjegjës autorët. Ndryshe nga burrat, gratë lidere shpesh sulmohen personalisht, me ndërhyrje në privatësi dhe gjykime morale, ndërsa arritjet dhe aftësitë e tyre profesionale anashkalohen.

Përtej komenteve të ngarkuara gjinore, rasti i Siljanovskës pasqyron një rënie të përgjithshme të cilësisë së komunikimit partiak, i cili është bërë gjithnjë e më kundërshtues dhe primitiv.

Biljana Georgievska, drejtoreshë e Këshillit të Etikës në Media thotë se deklaratat partiake prej kohësh i ngjajnë ‘hedhjes së gurëve ndaj njëri-tjetrit në oborrin e shkollës, në vend që t’i drejtohen publikut.

Biljana Georgievska, drejtoreshë e Zyrës Ekzekutive të KEMM-it
Biljana Georgievska, drejtoreshë e Zyrës Ekzekutive të KEMM-it

“Si gazetare që e kam ndjekur komunikimin politik në vend për një kohë shumë të gjatë, më duhet me keqardhje të përfundoj se niveli i gjuhës partiake po bie shpejt dhe në mënyrë të vazhdueshme në nivelin e primitivizmit. Deklaratat partiake prej kohësh i ngjajnë ‘hedhjes së gurëve ndaj njëri-tjetrit në oborrin e shkollës, në vend që t’i drejtohen publikut që prej tre dekadash pret me durim dhe paguan nga të ardhurat e veta që politikanët më në fund të përmirësojnë cilësinë e jetës në vend. Nëse deri para disa vitesh kishte njëfarë dallimi, vitet e fundit ‘nxënësi pak më i mirë ka vrapuar  për të arritur më të dobëtin’, dhe tani të dy blloqet politike (që komunikojnë në maqedonisht) komunikojnë me njëri-tjetrin me gjuhë grindavece, intriguese, shpesh fyese dhe diskriminuese e  të papërshtatshme. Sikur kjo të mos ishte raportuar rregullisht nga mediat, dëmi mund të kishte qenë më i vogël, por duke u dhënë platformë dhe duke e përhapur praktikisht këtë pakulturë politike, pa ndërhyrje profesionale gazetareske apo provokim, sinqerisht më vjen keq për pozicionin fillestar të aktivistëve të ardhshëm politikë në vend.”

Georgievska thekson një problem më të thellë strukturor: partitë politike gjithnjë e më shumë i japin përparësi sulmimit të njëra-tjetrës në vend që të trajtojnë shqetësimet reale të qytetarëve, duke përdorur gjuhë fyese dhe diskriminuese si mjet të mesazhit politik. Kur kjo kombinohet me tallje të ngarkuara gjinore, krijohet një mjedis politik që është njëkohësisht armiqësor ndaj grave dhe gërryes për diskursin demokratik.

Në përfundim, njoftimi për shtyp tregon se si seksizmi i fshehtë, sulmet online dhe rënia e standardeve të komunikimit në politikën maqedonase ndërthuren, duke prodhuar një mjedis toksik për gratë lidere dhe duke e reduktuar diskursin publik në tallje. Që demokracia të lulëzojë, partitë politike duhet t’i japin përparësi profesionalizmit, drejtësisë dhe përfshirjes, duke siguruar që kritika të drejtohet ndaj vendimeve dhe politikave, e jo ndaj karakteristikave personale apo gjinisë.