Migrimi i parregullt përmes rrugëve të Ballkanit Perëndimor është ulur për 75 përqind
Agjencia Kufitare e BE-së, FRONTEX tha përmes një raporti se në gjysmën e parë të vitit 2024 rënia më e madhe në kalimet e parregullta kufitare është vërejtur në rrugët e Ballkanit Perëndimor, raporton Zëri i Amerikës. Sipas FRONTEX nga janari në korrik në këtë rrugë u evidentuan 12,407 kalime të migrantëve të parregullt drejt kufijve të vendeve evropiane, të cilat përbëjnë një rënie me 75 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë, të një viti më parë.
Agjencia tha se shumica e migrantëve të kapur nga policitë kufitare në vendet e Ballkanit Perëndimor me synimin për të udhëtuar drejt vendeve evropiane janë nga Siria, Turqia dhe Afganistani.
FRONTEX thotë se edhe numri i përgjithshëm i kalimeve të parregullta kufitare nga të gjitha rrugët e migrimit drejt Bashkimit Evropian në shtatë muajt e parë të 2024 ra me 36 për qind (në 113,400) krahasuar me të dhënat e një viti më parë.
Por në një analizë të publikuar më herët nga FRONTEX për zhvillimet mbi migracionin e parregullt për vitet 2024-2025, organizata policore europiane thotë se zhvillimet në Lindjen e Mesme mund të nxisin migrimin në rajon.
“Presioni i vendit pritës për popullsitë emigrante afgane dhe siriane, rreziku i përshkallëzimit rajonal të konfliktit në Gaza dhe konfliktet dhe rëniet ekonomike në rajonet fqinje ka të ngjarë të jenë nxitësit kryesorë të migrimit në rajon” – thotë FRONTEX.
Sipas organizatës policore evropiane kufijtë veriorë të rajonit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian do të mbeten pika kyçe. Përforcimi i kontrolleve të kufirit serbo-hungarez ka frenuar lëvizjet drejt Hungarisë që nga tetori 2023 dhe devijimet drejt pikës Bosnjë dhe Hercegovinë – Kroaci ose zona të tjera dalëse si ajo mes Serbisë dhe Kroacisë mund të shihen si rrugë nga kontrabandistët e migrantëve të parregullt.
Analiza e FRONTEX thotë se ndërsa migrantët përpiqen të shmangin veriun e Serbisë, ata mund ta ndryshojnë rrugën drejt pikave mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ose Shqipërisë e Malit të Zi.
Kontrabandistët mund të përpiqen të përfitojnë duke ofruar shërbimet e tyre në forma të ndryshme: nga udhëzimi për të kaluar grupet e migrantëve në brezin e kufirit të gjelbër, tek kalimet e fshehta në pikat e kalimit kufitar sigurimi i dokumente të rreme të udhëtimit për transportin e mëtejshëm.
“Flukset e migracionit dhe kontrabanda e armëve do të sfidojnë menaxhimin e kufirit në rajon dhe kontrollet e përforcuara kufitare janë mënyra më e mirë për të parandaluar çdo skenar më të ashpër si flukse masive të papritura drejt Bashkimit Evropian”, thotë FRONTEX në analizën për zhvillimet e pritshme në vitet 2024-2025.
Ndryshe, Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdoi të jetë pjesë e rrugës që përdorin emigrantët për të arritur në vendet që janë pjesë e Bashkimit Evropian, thuhet në raportin e punës së Policisë për vitin 2023. Kontrollet e intensifikuara vitin e kaluar rezultuan në parandalimin e gati 14 mijë tentativave për tranzit të paligjshëm përmes vendit tonë dhe aktivitetet dhe nevoja për t’u përballur me të mbeten sfida dhe prioriteti kryesor në punën e policisë, pavarësisht se trendi është ulur me 49% krahasuar me vitin 2023.
Kalimi i migrantëve të parregullt në rrugën e Ballkanit Perëndimor shënoi një rënie 64 përqind në tre muajt e parë të vitit 2024 thuhet në raportin më të fundit të Organizatës policore evropiane të Ruajtjes së Kufijve, FRONTEX.