Mickoski: Problemi i krijuar nga Osmani na ka çuar në një situatë ku ende nuk mund të fillojmë negociatat me BE-në

Maqedonia do të vazhdojë të sillet në mënyrë pro-evropiane dhe Qeveria nuk ka dyshime se duhet të ndërtojë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, përfshirë Bullgarinë, por se nuk do të lejojë ultimatume, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke shprehur besim se do të gjenden zgjidhje dhe se Bashkimi Evropian do të gjejë mekanizma që vendi të fitojë vendin e merituar në Union, transmeton Portalb.mk.

“Nuk kemi probleme me zgjerimin e Kushtetutës sonë me disa nga kroatët që jetojnë këtu sepse maqedonasit janë pjesë e Kushtetutës kroate, nuk kemi problem të marrim parasysh malazezët, sllovenët etj., por kemi problem të pranojmë ultimatume. Unë nuk jam person që pranoj ultimatume dhe nuk do t’i lejoj vetes kurrë të negocioj për diçka që e di se përfaqëson një problem dhe frustrim të madh për qytetarët maqedonas, shqiptarë, turq dhe për të gjithë ata që janë pjesë integrale e Kushtetutës”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske gjatë vizitës së sotme në Zhelinë.

Sipas tij, kujtesa kolektive do të mbetet se ish-ministri i jashtëm, Bujar Osmani, negocioi për identitetin maqedonas.

“Do të kërkojmë një rrugë, do të ndërtojmë besim dhe do ta zgjidhim këtë, qoftë kjo gjeneratë apo tjetra, do ta zgjidhim, por do të mbetet në kujtesën kolektive se çfarë dëmi i shkaktoi ai njeri identitetit maqedonas dhe popullit maqedonas. Problemi që shkaktoi ai njeri na ka çuar në një situatë ku ishim kampionë në Evropë, ku as nuk mund të fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian. Ai negocioi për identitetin maqedonas dhe bëri një gabim, dhe nëse mendon se e kemi harruar këtë, gënjehet”, tha Mickoski.

Në lidhje me deklaratat e kryeministrit Mickoski, ka reaguar ish-ministri Bujar Osmani, i cili deklaroi se Mickoski në vend që të plotëson kushtet e Bashkimit Evropian, ai i vendos kushte asaj.

“Në fund, e bllokoi edhe hapësirën e vet politike për veprim – dhe tani, në vend që t’i përmbushë kushtet e BE-së, ai i vendos kushte vetë Bashkimit Evropian. Ky nuk është vetëm një premtim i pambajtur – por një dëm i thellë mbi dosjen evropiane të vendit. Z. Mickoski jo vetëm që nuk ka plan, por kurrë nuk ka pasur vizion për të zhbllokuar procesin. Kryeministri vazhdon të kërkojë fajtorë për të fshehur dështimet e veta”, deklaroi Mickoski.

Osmani vlerësoi se Mickoski vazhdimisht ikën nga përgjegjësia, duke kërkuar fajtorë.

“Në vend të çështjeve historike apo të identitetit, korniza negociuese e pranon gjuhën maqedonase, e afirmon demokracinë multietnike dhe parashikon ndryshime kushtetuese që tashmë janë pjesë e sistemit tonë. Mickoski ka një dalje të thjeshtë, por vetë e ka futur veten në qorrsokak”, deklaroi Osmani, duke e përkujtuar mesazhin e presidentit Kosta rreth asaj se RMV-ja nuk duhet të ketë plan B, por duhet të realizon planin A për procesin eurointegrues.

Përpara vizitës së nesërme të Përfaqësueses së Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Kaja Kallas, Mickoski tha se ka marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me të dhe kujtoi se Ministri i Jashtëm Timço Mucunski është ministri i parë nga rajoni që nënshkruan Marrëveshjen për Politikë të Jashtme dhe Siguri me Unionin.

Si pjesë e turneut rajonal, Kallas viziton Beogradin sot dhe do ta vizitojë vendin nesër. Ajo do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e jashtëm Timço Mucunski, dhe e shoqëruar nga ministri i mbrojtjes Vllado Misajlovski, do të vizitojë Grupin e përhershëm të Punës Mjekësore Ballkanike.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.