Mickoski pret naftë më të lirë nga e hëna
Kryeministri Hristijan Mickoski pret që të hënën çmimi i benzinës të ulet për rreth dy denarë, ndërsa dizeli mund të rritet për gjysmë denari. Në një deklaratë për mediat, Mickoski tha sot se masa për uljen e TVSH-së për karburantet po jep rezultatin e pritur, transmeton Portalb.mk.
“Po e ndjekim me shumë kujdes situatën me çmimin e naftës në tregjet botërore. Bazuar në llogaritjet tona, presim që të hënën çmimi i benzinës të ulet për rreth dy denarë dhe dizeli të mbetet i njëjtë ose të rritet për gjysmë denari, kështu që ulja e TVSH-së ka efekt të drejtpërdrejtë pozitiv, tha Mickoski për mediat pas ngjarjes “Youth Vision 2030: Western Balkans, Stability & AI in Education” që u mbajt në Shkup.
Ai tha se Qeveria do ta ndjekë situatën edhe javën e ardhshme dhe nëse ka nevojë, masa do të vazhdohet edhe për dy javë të tjera ose mund të ndërmerret një masë e re me akcizat.
Sipas Mickoskit, nuk është vërejtur ulje në përdorimin e karburanteve, ndërsa konsumi në zonat kufitare është rritur, përkatësisht, siç theksoi ai, konsumi tani është më i lartë – rreth 200 mijë litra në ditë.
“Për momentin situata është stabile dhe nuk ka nevojë për kufizime. Ulja e TVSH-së e ka ulur çmimin e karburanteve”, tha Mickoski.
Kujtojmë se, Qeveria në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur më 22 mars, vendosi të ulë TVSH-në për karburantet nga 18 në 10 përqind, gjë që, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, duhet të zbusë rritjen e çmimeve të derivateve. Vendimi hyri në fuqi të hënën në mesnatë, pra më 23-24 mars, dhe do të zgjasë për javë.