Mickoski: Presim që dizeli të lirohet për 2.5 denarë, ndërsa benzina për 1.5 denarë për litër
Kryeministri Hristijan Mickoski sot njoftoi pritjet e Qeverisë për çmimet e reja të derivateve të naftës që do të shpallen nga Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE), transmeton Portalb.mk.
Ai tha se pret që rregullatori të marrë vendim në seancën e tij të ardhshme që do të ulë çmimin e naftës me 2.5 denarë, dhe të benzinës Eurosuper 95 dhe Eurosuper 98 me 1.5 denarë.
Siç tregoi ryeministri, çmimi maksimal për Eurosuper 95 do të jetë 82 denarë për litër (1.33 euro centë), për Eurosuper 98 – 84 denarë për litër (1.37 euro centë), dhe për naftën 95.5 denarë për litër (1.55 euro centë), duke përjashtuar zbritjet e OKTA-s prej dy denarë për benzinë, ose tre denarë për naftë.
Ai shpjegoi se këto pritje për vendimin e ardhshëm të KRRE-së bazohen në një analizë të lëvizjeve të çmimeve të naftës dhe derivateve të naftës në bursat gjatë javës së kaluar.
“Javën tjetër do të mbetemi me masat e uljes së TVSH-së nga 18 në dhjetë përqind dhe vendimin për harmonizimin e akcizave, me të cilat KRRE mund të veprojë. Ne do të vazhdojmë të jemi shtet që u siguron të gjitha sasitë e naftës dhe derivateve të naftës qytetarëve dhe bizneseve në një mënyrë të shpejtë dhe të besueshme”, tha Miskoski.
Kryeministri theksoi se shteti ka sasi të mjaftueshme karburanti për të zbutur presionin nga fqinjët.
“Kemi ditë kur konsumi është rritur me 30 përqind krahasuar me mesataren në të kaluarën dhe arrijmë deri në dy milion litra në ditë, që është një rekord absolut. Presioni më i madh ushtrohet në kufijtë veriorë, perëndimorë dhe jugorë, por kemi sasi të mjaftueshme në pikat e karburantit për qytetarët e vendeve tona fqinje dhe mund të sigurohemi që ata të marrin karburant nga pikat e karburantit në ato komuna kufitare”, tha Mickoski.
Sipas Mickoskit, kjo edhe një herë konfirmon suksesin e politikës së qeverisë në përballimin e, siç tha ai, kësaj krize epike historike energjetike, e cila është më e madhe se dy krizat në vitet ’70 dhe kriza në vitin 2022 së bashku. Ai theksoi se Maqedonia mbetet vendi me çmimet më të ulëta të energjisë dhe i vetmi që po ul çmimet e naftës dhe derivateve të naftës këtë javë.
Kryeministri tha se në seancën e ardhshme të Qeverisë do të bëhet analizë e raportit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës dhe Inspektoratit të Punës mbi çmimet e produkteve. Vendimet e ardhshme do të merren bazuar në atë analizë.
Kriza aktuale e çmimeve të karburanteve lidhet me zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ku përshkallëzimi i konfliktit ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë. Ky tension ka shkaktuar pasiguri në furnizimin me naftë dhe rritje të çmimeve në bursat ndërkombëtare, duke reflektuar më pas edhe në vendet e rajonit. Si pasojë, shumë shtete janë përballur me rritje të kostove të importit të karburanteve, çka ka detyruar qeveritë të ndërhyjnë me masa fiskale dhe rregullatore për të zbutur ndikimin tek qytetarët.